Arbëri

Mjeku i urgjencës së Spitalit të Pejës shkel vendimet e Qeverisë, e hap ambulancën private në Klinë

Policia ka raportuar sot se, dje, e mërkurë gjatë pasdites, ka hasur në një mjek që po punonte ilegalisht në klinikën e tij private në Klinë, në kundërshtim të urdhëresave të Qeverisë së Kosovës, të sjella pas shpalljes së situatës emergjente shëndetësore për parandalimin e shpërhapjes së koronavirusit.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar (mjek), është hasur duke punuar në klinikën e tij private duke rënë në kundërshtim me vendimet e marra. I njëjti është vetë izoluar me punëtorët dhe familjen e tij pasi që dyshohet se ka pasur kontakt me disa klient që dyshohet të jenë të infektuar”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës, sipas të cilit klinika private është mbyllur.

Rastin e ka konfirmuar për Kohën, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Një mjek ka hap një ordinancë në Klinë ku dyshohet se ka pas disa pacientë për trajtim. Me çrast ju ka mbyll ordinanca sepse me vendim të qeverisë nuk ka pas të drejtë ta hap. Njëkohësisht një paciente që ka pas simptoma të dyshimta është dërguar me autoambulancë të spitalit në Klinikën Infektive në Prishtinë. Deri sa të dalin rezultatet e analizës të pacientes, është kërkuar nga mjeku dhe pacientët tjerë që kanë qenë aty në ambulancë me qëndrua në vetë izolim”, tha Nikçi.

Ai tha se në këtë rast ka elemente të veprës penale “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, por siç shtoi Nikçi, mjeku nuk është dërguar në mbajtje policore derisa nuk dalin rezultatet për shkak të rrezikut se mos është i infektuar. Por, procedura penale ndaj tij siç tha Nikçi do të zhvillohet, bazuar në neni 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet deri me dy vjet burgim.

Edhe drejtori i Shëndetësisë në Klinë, Hekuran Sejdiu e ka konfirmuar rastin për Kohën, duke thënë se dje kanë zhvilluar një aksion bashkë me policinë dhe institutin e shëndetit publik, dhe kanë hasur në një mjek që ka qenë duke punuar në klinikë e tij private, në hyrje të Klinës. Mjeku, Z.K. që është kapur duke punuar në klinikën private kundër vendimeve të qeverisë në këtë situatë të pandemisë, është mjek specialist i urgjencës që punon në urgjencën e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës dhe këtë e ka konfirmuar për Kohën, drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj.

“Ai është mjek i joni që punon në urgjencë dhe është njëri prej vetëm dy mjekëve specialistëve të urgjencës që i ka ky spital. Për këtë rast jemi informuar nga komiteti komunal emergjent. Për ato veprime që janë bërë prej tij jashtë institucionit tonë, ai përgjigjet”, tha Dreshaj. Sipas tij, ky mjet nuk ka qenë në spital 36 orët e fundit, pasi në këtë spital ka ndryshuar orari i punës gjatë kësaj situate emergjente, ku stafi mjekësor punon nga 24 orë dhe pastaj kanë tri ditë pushim. “Ai ka qenë në karantinë si edhe e tërë ajo komunë dhe ai ka nisur të punojë pasi nuk ka pas ndalesë nga Instituti i Shëndetit Publik, pasi edhe ka rezultuar pa simptoma. Mjeku dje ka qenë në kontakt me pacientë të dyshuar dhe tash ai duhet të izolohet për dy javë dhe atë duhet ta zëvendësojmë në urgjencë me ndonjë mjek të reparteve tjera. Për spitalin është hendikep pasi i kemi vetëm dy mjekë specialistë të urgjencës”, tregon Dreshaj edhe problemin që i ka shkaktuar ky mjek tash spitalit. Komuna e Klinës gjendet që nga 13 marsi në karantinë, kur edhe është identifikuar rasti i parë pozitiv me koronavirus në këtë komunë, në të cilën deri sot nuk janë ka pas raste tjera pozitive pas analizave të kryera për këtë virus.