Arbëri

Bizneset në Klinë po pësojnë nga karantina – mungesë maskash në QKMF

Tahir Berisha, fermer nga fshati Gjurgjevik i Madh i Klinës, posedon 20 lopë qumështore.

Ai ka edhe një pikë grumbullimi ku e dorëzojnë qumështin 15 bashkëfshatarë.

Të shtunën, në ditën eparë të izolimit të Komunës së Klinës, qumështoret që e marrin këtë produkt nga Berisha nuk kanë mundur të vinin në fshat.

Për pasojë, rreth 500 litra qumësht është detyruar t’ua kthejë bashkëfshatarëve e një pjesë edhe e ka asgjësuar, raporton KOHA

Por ky problem është zgjidhur nga e diela pas një bisede që Berisha ka pasur me Policinë e Kosovës.

Sipas këtij fermeri, nëse zgjat periudha e izolimit, sipërmarrësit sikurse ai do të kenë probleme me ushqim të kafshëve.

Në qytetin e Klinës edhe këtë të martë lëvizjet kanë qenë të pakëta. Në të gjitha hyrje-daljet e Komunës qëndrojnë patrulla të policisë.

Barnatoret janë të vetmet që funksionojnë, por asnjëra prej tyre nuk ofron maska e dezinfektues.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Klinë ka ngritur një tendë në oborr. Stafi ankohet se iu mungojnë kushtet elementare për punë.

Alban Palushi, doktor i mjekësisë familjare, thotë se mungojnë edhe maskat.

Sipas tij, pacientët me temperaturë mbi 38 gradë udhëzohen për në Spitalin Rajonal të Pejës, përderisa numri i atyre që kërkojnë ndihmë në QKMF ka rënë drastikisht nga dita e shtunë.

Deri më tash në Klinë vetëm një shtetase italiane ka rezultuar pozitive sa i përket testimit për virusin “Covid 19”.