Arbëri

Banorët e Ribarit të Madh ankohen për lokacionin ku u groposën kafshët e sëmura me brucelozë

Descriptive Text

Asgjësimi i disa krerëve të lopëve të prekura nga sëmundja infektive bruceloza në Komunën e Lipjanit, ka shqetësuar banorët e fshatit Ribar i Madh.

Lokacioni i caktuar nga Komuna e Lipjanit për varrosjen e këtyre kafshëve, sipas banorëve të këtij fshati, ka shkaktuar kundërmim, derisa ata po thonë se varrosja e tyre është bërë afër vendeve ku ka edhe kullosa, raporton KTV.

Kurse, banorët e një fshati tjetër, Poturovcit, po dyshojnë se asgjësimi i këtyre kafshëve ka mundur të kontaminojë ujin e pijshëm.

Sipas tyre, ka banorë të cilët nuk janë duke e konsumuar ujin.

Zyrtarët e Komunës së Lipjanit insistojnë se asgjësimi i krerëve të lopëve, pas prekjes nga bruceloza, është bërë sipas standardeve dhe në bashkëpunim me inspektorë dhe zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Megjithatë, drejtori i Inspektoratit, Imer Rrustemi, ka thënë se Komuna do të dërgojë ekipe për të parë gjendjen në këto dy fshatra.

Por, zyrtarët komunalë kanë konfirmuar se kjo nuk është hera e parë që varrosen kafshë në atë lokacion sepse ka vite që një gjë e tillë ishte bërë me mbetjet e kafshëve të prekura nga bruceloza.

Asgjësohen 35 krerë lopë në Komunën e Lipjanit shkaku i brucelozës

Shfaqja e sëmundjes infektive tek kafshët, e njohur si bruceloza, bëri që fermeri Ramadan Grajqevci nga Lipjani të mbesë pa 20 krerë lopë.

Pas mostrave të bëra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vitin e kaluar, të cilat rezultuan pozitive, atij iu morën lopët për asgjësim, raporton KTV.

Derisa këtë vit vetëm një rast në fermën e Grajqevcit rezultoi pozitiv me këtë sëmundje infektive.

Vetëm në Komunën e Lipjanit vitin e kaluar 35 kafshë u asgjësuan si shkak i prekjes nga bruceloza. Këtë vit, sipas veterinarit Bujar Ejupi, u asgjësuan 10 krerë lopë, derisa, sipas tij, Komuna e Lipjanit është zona më e prekur nga kjo sëmundje infektive.

Ejupi thotë se kjo sëmundje infektive mund të përhapet edhe tek njerëzit.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në Kosovë janë asgjësuar 85 krerë lopë të prekura nga kjo sëmundje, ndërsa këtë vit 31.

Infektologu Murat Mehmeti përmes një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar për KTV-në se sëmundja infektive e brucelozës bartet tek njerëzi përmes lëkurës së dëmtuar më parë gjatë kontaktit direkt me kafshë të infektuara.

Po ashtu, ajo bartet edhe përmes qumështit të pasterizuar, si dhe prodhimeve të tjera të qumështit.

Simptomat, sipas Mehmetit, janë: temperaturë, djersitje, plogështim, kokëdhimbje, dhimbje në muskuj dhe nyja, rritje të gjëndrave limfatike, të mëlçisë dhe shpretkës.