Arbëri

Qyteti i muraleve

Një ndër karakteristikat me të cilën identifikohet qyteti i Ferizajt është murali që të gjithë e njohin si “Kamerieri”, i cili daton qysh nga viti 1967, dhe gjendet përballë objektit të kësaj komune.

Muralet e tilla tashmë pothuajse kanë mbushur tërë qytetin.

Ferizaj po vazhdon të identifikohet si qyteti i muraleve, ku artistët e këtij vendi po shprehin aftësinë e tyre të vizatimit në mure, raporton emisioni SOT në KTV.

Drejtoresha e “Mural Fest”, e cila njëkohësisht është edhe profesoreshë në shkollën e mesme të artit “Çesk Zadeja”, Lebibe Topalli, tregon se për çdo vit muraleve u dedikohen temat e ndryshme nga ku bazohen për vizatim.

Muralet flasin për tema të ndryshme, viteve të kaluara temë kishin qenë toleranca racore, etnike, antikorrupsioni, mbrojtja e mjedisit, e tema të tjera.

Antika Veseli është nxënëse e klasës së 11-të në shkollën “Cesk Zadeja” në Ferizaj.

Talenti i saj tashmë ka zënë vend në njërin prej muraleve të këtij qyteti.

1 vit më parë Antika ideoi një vizatim, ku tema që shtjelloi në të ishte toleranca racore.

Ajo flet për punën që u bë gjatë 4 ditëve derisa realizoi idenë e saj në mural e që tashmë është krenare që ky vizatim mban emrin e saj.

E për të zbukuruar qytetin në këtë formë artistët ndihmohen nga Komuna dhe nga donatorë të ndryshëm për blerjen e pajisjeve dhe ngjyrave që u duhen atyre për të shkrirë talentin në muret e objekteve të Ferizajt.

Qëllimi i tyre është që të vazhdohet tradita e muraleve dhe objektet e ndryshme të shndërrohen në pamje më tërheqëse për qytetarët.