Më shumë se 5 orë pasi kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e saj, kishte kryer vetëvrasjen zyrtarja policore Valdete Bllaca. Këto janë dyshimet e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që po e heton tragjedinë e javës së kaluar, që rezultoi me 5 viktima nga familja Bllaca, transmeton KTV-ja.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke hetuar e rastin, në të cilin dyshohet se zyrtarja policore, tani e ndjera V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes, motivi i së cilës ende nuk dihet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Arma e vetme e përdorur në këtë rast, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë ajo zyrtare, e cila nuk do të duhej të ishte në dispozicion të zyrtares policore, për çka Inspektorati Policor është duke zhvilluar hetime nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zinxhiri komandues i Stacionit Policor në Gjilan, tashmë i suspenduar.