Arbëri

Riciklimi i mbeturinave në Vushtrri

Descriptive Text

Shporta me ngjyrë të verdhë janë të vendosura afër shumicës së shtëpive në Vushtrri.

E brenda tyre ka vetëm materiale plastike, alumini e kartoni.

Komuna e Vushtrrisë i ka shpërndarë 1.200 shporta për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme nëpër familjet e këtij qyteti, raporton emisioni SOT në KTV.

Përveç shtëpive, me qëllim të mbrojtjes së ambientit, me shporta janë pajisur edhe shkollat.

Mbledhja e mbeturinave të riciklueshme bëhet për çdo ditë pune, por nëpër shtëpi në kuadër të shërbimit derë më derë, grumbullimi bëhet një herë në javë.

Fahri Salihu, menaxher i projektit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Vushtrri, thotë se ende ka kohë për vetëdijesimin e plotë të qytetarëve.

Kamioneta me materiale të riciklueshme shkarkohet çdo të enjte, në kompaninë për presim të mbeturinave.

Shemsi Pllana, menaxher i kësaj kompanie, tregon edhe ecurinë e këtij procesi. Materialet e presuara, thotë se i shet në kompani të ndryshme të Kosovës.

Nga 3 cent për kg, fillon çmimi i shitjes së këtyre materialeve, sipas Pllanas.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e ka vlerësuar Komunën që udhëheq si kampionë në menaxhim të mbeturinave, duke thënë se vetëm në muajin shtator të vitit të kaluar janë grumbulluar 8 ton mbeturina të riciklueshme. Sipas tij, aktualisht në Vushtrri janë 1 mijë familje që ndajnë mbeturina.