Arbëri

Ende asnjë parti s’ka aplikuar për zgjedhjet në Podujevë

Descriptive Text

Asnjë parti politike apo kandidat nuk ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë aplikim nga kandidatët apo partitë politike.

“Deri më sot, pra ditë e premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 marsit për kryetar të Komunës së Podujevës”, tha ai.

Të gjitha partitë politike dhe kandidatët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës kanë afat që të aplikojnë deri më 17 shkurt.

“Afati se kur subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje, si dhe gjithashtu edhe emrin e kandidatit për kryetar të Komunës është data 17 shkurt. Deri në orën 18 të ditës së hënë do të presim pra subjektet politike për të paraqitur aplikimet e tyre”, tha ai.

Elezi tha se Zyra për Regjistrim të Partive Politike të gjitha aplikimet që bëhen i shqyrton dhe pastaj i paraqet KQZ-së rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të një subjekti politik.

“Zyra për Regjistrim të Partive Politike të gjitha aplikimet që bëhen i shqyrton dhe pastaj paraqet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë subjekti politik. Pra, menjëherë pas datës 17 shkurt Zyra për Regjistrim të Partive Politike të gjitha aplikimet që do të bëhen i shqyrton dhe pastaj përgatit rekomandimet për secilin prej tyre aplikimeve dhe të cilat i paraqet në KQZ për aprovim apo jo”, tha Elezi.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen me 15 mars, ndërsa kjo Komunë ka shkuar në zgjedhje pasi kryetari Agim Veliu është zgjedhur ministër në Qeverinë e Kosovës.