Qytetarët e Klinës me peticion kundër fabrikës së çimentos në Gremnik Foto: Koha

Qytetarët e Klinës me peticion kundër fabrikës së çimentos në Gremnik

Ilir Osmanaj Ilir Osmanaj 14 February 2020 16:21

Ndërtimi i fabrikës së çimentos në zonën kadastrale Dresnik, konkretisht në pjesën e fshatit Gremnik, ku ka mjaftë burime të gurit gëlqeror, ka qenë njëri prej premtimeve të kryetarit aktual të komunës së Klinës, Zenun Elezaj, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2017.

Deri tash kjo fabrikë nuk është ndërtuar e duket se as që do të ndërtohet, pasi banorët e fshatrave Dresnik, Dollc dhe Gremnik, janë duke e kundërshtuar dhe për këtë ata kanë nisur edhe peticionin më të cilin ata besojnë se do ta pamundësojnë serish, sikur para tetë vjetësh, ndërtimin e kësaj fabrike ndotëse për mjedisin. Ahmet Gashi nga fshati Gremnik, njëri prej organizatorëve të peticionit, ka thënë për Kohën Ditore se zona ku pretendohet të ndërtohet fabrika e ka përreth fshatin Dresnik, Dollc dhe Gremnik, raporton Koha Ditore.

Këtë problem si tash, ai tregon se e kanë pas edhe në vitin 2012 kur një kompani kishte treguar interesim për të ndërtuar fabrikën në atë zonë. Dhe si fshat, Gramniku, siç thotë Gashi, me 1 mijë e 200 banorë, atë kohë janë organizuar dhe 80 për qind e fshatit kishin nënshkruar peticionin, të cilin sipas Gashit, ja kishin dorëzuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kryetarit të atëhershëm të Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe Kuvendit Komunal të Klinës.

Me atë peticion në vitin 2012 banorët e kishin pamundësuar edhe nisjen e procedurave për marrjen e licencave dhe lejeve të nevojshme për ndërtimin e fabrikës. Ndërkohë, kishte qenë mbizotëruar një lloj heshtje dhe nuk e ka përmendur kush më atë fabrikë. Edhe pas zgjedhjeve lokale, kur kryetari i tashëm Zenun Eelzaj, e kishte premtuar ndërtimin e kësaj fabrike, për të më nuk është folur, deri këto javët e fundit, kur serish është bërë aktuale fabrika e çimentos në Gremnik.

“Deri tash nuk kemi pa ndonjë indikacion apo shenjë që serish dikush po tenton me ndërtua fabrikë të çimentos. Para disa ditësh kemi marr informacion se po duan me ndërtua një gurthyes në atë pjesë. Unë jam autorizuar nga fshati që të shikojë se çka është puna dhe pastaj kemi hulumtuar dhe kemi marr vesh se prapë po tentohet të ndërtojë dikush fabrikën e çimentos. Ne si komunitet jemi takuar pastaj edhe me kryetarin e Komunës Zenun Elezaj ku na është thënë se është një konsorcium i kompanive vendore që ka treguar interesim me ndërtua atë fabrikë. Kështu që edhe tash kemi ndërmarrë të njëjtin veprim me peticion por kësaj here janë të përfshira edhe banorët e dy fshatrave tjera, Dresnik dhe Dollc”, tha Gashi, derisa po mblidheshin të enjten nënshkrime në tavolinën e vendosur afër rreth-rrotullimit rrugor ku gjendet shtatorja e heroit “Mujë Krasniqi”.

Ai tregon se që dhjetë ditë kanë nisur me peticion, së pari shtëpi nëpër shtëpi nëpër këto tri fshatra dhe nga dita e mërkurë kanë dal me tavolinë edhe në qytetin e Klinës për të mbledhur nënshkrime kundër fabrikës së çimentos.

“Deri tash i kemi mbledh rreth katër mijë nënshkrime”, tha Gashi.

Këtë peticion siç tregoi ai, do t’ia dorëzojnë pastaj Kuvendit Komunal, kryetarit të Komunës, si dhe në MMPH dhe KPMM. Në rast se shpërfillen peticioni dhe kundërshtimet e komunitet, dhe nis të ndërtohet fabrika, Gashi është i sigurt se, duke u nisur nga qëndrimet dhe vendosmëria e banorëve, mund të ketë veprime radikale nga banorët e tri fshatrave. “Edhe pse nuk dua të besojë që do të lejohet ndërtimi i saj me këtë peticion me mijëra nënshkrime, veprimi më i butë do të jetë bllokimi i magjistrales Pejë- Prishtinë, në Grykë të Dollcit”, tregon Gashi njërin prej veprimeve që do të ndërmarrin në rast se nuk ndërpritet tentativat e ndërtimit të kësaj fabrike në atë pjesë të ngastrës kadastrale Drensik, ku aktualisht janë disa gurthyes dhe ku para luftës ka qenë plantazh i vishnjave i ish kombinatit bujqësor “Malizhgani” i Klinës.

Kryetari i Kinës, Zenun Elezaj i ka parasysh angazhimet kundërshtuese të komunitetit ndaj kësaj fabrike, për të cilën, pas zhvillimeve të fundit, ai aktualisht nuk është kundër e as për, pavarësisht se ka qenë një premtim elektoral. nuk dhe premtimit të tij. “Ky është një realitet tjetër tash. Unë e kam promovuar dhe do ta promovojë ndërtimin e fabrikës së çimenton në Gremnik. Ky është lokacion i përshtatshëm dhe me potencialet që i ka, lënda e parë aty mund ti jepet një fabrike të çimentos. Mirëpo kërkesat e qytetarëve unë jam i obliguar me i trajtua dhe ndaj kërkesave të qytetarëve unë do të jem i arsyeshëm, ndonëse komuna nuk ka kompetenca me vendos për ndërtimin e fabrikës”, thotë Elezaj për Kohën Ditore.

Elezaj tregoi Komuna ka lëshuar pëlqime në pajtueshmëri me planin zhvillimor edhe në kohën e qeverisjes së kaluar në Klinë por edhe tash vazhdojnë të lëshohen pëlqime për fillimin e procedurave në institucionet përkatëse qendrore ku merren licencat e nevojshme. Por sipas tij për fabrika të cementit komuna nuk lëshon leje.

“Kompetente për lëshimin e lejes për ndërtimin e fabrikës janë institucionet përkatëse të nivelit qendror”, tha Elezaj, i cili pohoi se do të jetë i kujdesshëm me kërkesat e qytetarëve, pasi peticionin ai është i obliguar ta dërgojë në Kuvendin Komunal. Ai tha se bashkë këshilltarët komunal do të hartojnë kërkesat e specifikuara për organet e nivelit qendror, të cilat sipas tij edhe duhet ta marrin përgjegjësinë dhe në rast se japin leje duhet te ofrojnë garanci qytetarëve se ajo fabrikë nuk do të jetë ndotëse e mjedisit. “Unë do të jam kërkues bashkë me qytetarët dhe çka do të vendos niveli qendror, ata le ta marrin përgjegjësinë. Kemi qeverinë e re dhe le të merren me këtë problem dhe unë do jem real sepse do mbrojë të drejtën e qytetarëve që janë kundër kësaj fabrike por do të mbrojë edhe të drejtën e qytetarëve për punësim dhe zhvillim”, shprehet Elzaj jo bash krejt kundër kësaj fabrike pasi ai gjendet mes “dy zjarreve”. Njërën anë premtimi i tij për ndërtimin e fabrikës dhe anën tjetër peticioni i qytetarëve, të cilin siç tha ai nuk guxon ta anashkalojë për shkak të peshës që ka. Njëri prej institucioneve qendrore përgjegjëse është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, të cilit Koha Ditore ju ka drejtuar për të mësuar nëse ka lëshuar ky komision ndonjë kompanie ndonjë lloj leje apo licencë për fabrikën e çimentos në zonën Kadastrale Dresnik.

“Sipas Ligjit për Miniere dhe Minerale, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk lëshon leje për fabrikë te çimentos. KPMM lëshon licenca te hulumtimit, licenca te shfrytëzimit dhe leje për aktivitet te veçanta (baza te betonit, baza te asfaltit dhe seperacione). Ne si institucion nuk kemi kurrfarë informacioni kush pretendon të ndërtojë fabrikë te çimentos ne atë zonë”, është përgjigjur drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi. Autoriteti kryesor për lejimin e ndërtimit të këtyre fabrikave është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pa pëlqimin e saj mjedisor nuk guxon kush të nis të ndërtojë asgjë në asnjë fushë që ajo e mbulon si institucion. Edhe MMPH-së i është drejtuar Koha Ditore lidhur me pretendimet për ndërtimin e fabrikës se çimentos në atë zonë dhe se a është dorëzuar në këtë ministri ndonjë kërkesë nga ndonjë kompani për dhënien e lejes apo pëlqimit mjedisor për ndërtimin e kësaj fabrike. Nga kjo ministri, gazeta ka marr vetëm një përgjigje të shkurt. “Ju njoftojmë se jemi duke e kompletuar dokumentacionin për pyetjet e parashtruar. Pas kompletimit të dokumentacionit do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjën e MMPH.

Për ekspertët e fushës së mbrojtjes së mjedisit, një fabrikë e çimentos do të shkaktonte dëme të mëdha, pasi ato llogariten si ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit.

“Guri gëlqerorë thyhet, bluhet duke krijuar zhurmën dhe pluhurin. I shtohet argjilë apo minerale tjera dhe pastaj kjo përzierje duhet të kalojë në temperaturë 1 mijë 450 gradë celsius. Nga procesi kimik i ndarjes së karbonatit të kalciumit, lirohet dioksidi i karbonit. Për realizimin e këtij procesi është e domosdoshme ekzistenca e furrave. Kjo e paraqet problemin kryesor sepse për të arritur temperatura deri në 1 mijë e 450 gradë, është e domosdoshme përdorimi i karburanteve fosil që zakonisht përdoren thëngjilli apo koks nafte. Djegia e këtyre materieve liron sasi enorme tymi, grimca pluhuri, dhe gazra të karbonit, azotit, sulfurit e të tjerë”, tregon ekspertit nga Klina, me master të përfunduar për ekologji dhe mbrojtje të mjedisit, Faton Berisha, se si funksionon një fabrikë çimentoje dhe çka liron ajo gjatë procesit, nga helmet e të cilës që lirohen ndotin sipas tij jo vetëm mjedisin por edhe shëndetin e njerëzve.

“Operimi i një fabrike të tillë në komunën e Klinës, do thotë fund për ajrin e pastër, jo vetëm për këtë komunë, por edhe për një pjesë të madhe të Dukagjinit”, tregon ai përmasat që mund ti ketë kjo fabrikë, e cila para se ndërtohet zakonisht shikohet zhvillimi i qëndrueshëm, respektivisht ekuilibri harmonik midis nevojave sociale, ekonomisë dhe mjedisit. “Një ndërmarrje ekonomike që sjellë më shumë dëme në mjedis e me këtë cenon shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, rrjedhimisht nuk ka asnjë dobi ekonomike, por sjellë dëme për atë komunitet, përveç lakmisë për pasurim të individit sipërmarrës”, tha Berisha.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme