Arbëri

Fillon realizimi i programit “Vrojtuesit e lagjes” në Gjilan

Në Gjilan sot ka filluar realizimi i programit “Vrojtuesit e lagjes”, si mbështetje për Strategjinë dhe planin e veprimit të policisë në bashkësi, përmes vendosjes së shenjave identifikuese në lagje.

Shqipe Kastrati, koordinatore e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi tha se kjo do të jetë ndihmesë për qytetarët që problemet t`i raportojnë në institucionet kompetente.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se të gjithë janë jashtëzakonisht të interesuar për t`i ndarë përvojat e mira që vijnë në veçanti përmes programit të ICITAP-it, në rolin dhe përgjegjësinë brenda komunitetit, lagjes apo institucioneve.

“Vrojtuesit e lagjes, është praktikë që ne ndoshta më pak e njohim, por përvoja e sotme ka me tregua që në të ardhmen, përveç këshillave lokalë, mund të aplikojmë edhe forma tjera të ndryshme, që e rrisin sigurinë publike, interesin publik, pjesëmarrjen publike e sidomos preventivën në rastet e veçanta” ka thënë kryetari Haziri, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.

Haziri falënderoi komandantin e stacionit policor në Gjilan, majorin Alban Ramushi, i cili merr pjesë në çdo mekanizëm të sigurisë, policinë në komunitet, këshillat lokalë dhe policinë në përgjithësi, e cila përkundër kapaciteteve të reduktuara që ka, në çdo rast ajo është e para që iu përgjigjet problemeve.

më tepër, Haziri ka thënë se Gjilani e ka një përvojë në vrojtim që nga periudha e viteve të `90-ta, kur komuniteti ishte vetorganizuar për të përcjellë lëvizjet e forcave serbe.

Alban Ramushi, komandat i Stacionit Policor në Gjilan, tha se shpreson që ky program, përmes vendosjes së tabelave “Vrojtuesit e lagjes” do ta ndihmojë shumë policinë që të pajiset me informata nga terreni, sepse është e pamundur që policia të jetë në çdo cep, në çdo lagje, në çdo fshat.

Përndryshe, Eldin Buzgoviq nga ICITAP-i e ka zbërthyer më hollësisht programin, duke thënë se qëllimi i “Vrojtuesit e lagjes” është ngritja e sigurisë në bashkësi, përmes bashkëpunimit me qytetarët në raportin e rasteve.

diskutime e komente, kanë kontribuar edhe Muhamet Hyseni (Mekanizmi Referues), Fiton Kastrati (FSK), Halit Rexhepi (KKSB) dhe të tjerë.

Zyra për Informim