Arbëri

Gjykata në favor të mësimdhënësve të pensionuar, Komuna e Pejës nuk pranon t’ua paguajë pagat jubilare

Descriptive Text

Tre vjet pas padisë së ngritur, në janar të vitit 2017, Gjykata Themelore në Pejë i ka dhënë fund kësaj padie me aktvendimin e sjell në favor të 70 mësimdhënësve të pensionuar në vitin 2015 dhe 2016, të cilët e kishin paditur Komunën e Pejës për pagesën e pagës jubilare dhe të tri pagave përcjellëse në pension, që janë gjithsej gjashtë paga në shumën e tri pagave të fundit të punës që i kanë marrë.

Sipas këtij vendimi të gjykatës, Komuna e Pejës detyrohet t'ua paguajë atyre vlerën për kompensimin e pagave për përcjellje në pension dhe pagën jubilare në vlerë të përgjithshme të kontestit prej mbi 160 mijë eurosh, duke e llogaritur njëherësh për secilin veç e veç me kamatë ligjore lartësinë prej 8 për qind, duke filluar nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në mesin e mësimdhënësve të pensionuar, që së bashku e kishin paditur Komunën me një padi kolektive, është edhe mësimdhënësi i pensionuar në vitin 2015, Rrustem Gërguri, sipas të cilit, edhe pse lënda është zvarritur, ky vendim i gjykatës është pritur që të jetë në favor të tyre.

“Është vendim i pritur dhe natyrisht që është dashur të jetë i përmbaruar ky vendim, sipas secilit vit që janë pensionuar, por ja që i kanë lënë tash edhe të grumbullohen në numër dhe të jetë më vështirë të realizohet një shumë aq e theksuar e mjeteve financiare”, thotë Gërguri, me drojën se pagesa e fituar me gjyq mund të zvarritet. Kjo drojë e tij, pavarësisht që Gjykata Themelore e Pejës ka sjellë vendim në favor të tij dhe të 69 kolegëve të tjerë në këtë rast të padisë kolektive, ndërlidhet me mosgatishmërinë e Komunës së Pejës që ta paguajë atë shumë, pasi ajo do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi të gjykatës në shkallën e parë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)