Arbëri

Dështon seanca, Prizreni pa kryesues të Kuvendit Komunal

Mes shumë diskutimeve e pa një marrëveshje konkrete ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Kjo seancë që u thirr nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në rend dite pati emërimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, si dhe betimin e anëtarit të ri të këtij kuvendi, Elez Kurtaj, raporton KTV.

Mirëpo thirrjen e seancës dhe emërimin e një kryesuesi të ri i kundërshtoi Grupi parlamentar i LDK-së.

Por këtë kërkesë të grupit parlamentar të LDK-së nuk e përkrahën edhe grupet e tjera në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Ky refuzim i subjekteve të tjera bëri që Grupi parlamentar i LDK-së të lëshojë sallën, duke lënë Kuvendin me vetëm 41 asamblistë. (Pamje nga largmi i LDK-së)

E me largimin e LDK-së nga salla u vështirësua edhe përzgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, shkaku i mungesës së shumicës.

Megjithatë, Kuvendi Komunal hodhi në votim dy kandidatët, Sulltan Badallaj nga PDK-ja dhe Mehmet Elez Kurtaj i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por pas dy raundesh të pasuksesshme votimi, seanca e 27 janarit është shtyrë për një datë tjetër pasi grupet parlamentare të PDK-së e AAK-së lëshuan sallën, duke lënë Kuvendin Komunal edhe më tutje pa kryesues Kuvendi.