Arbëri

Prerja e drunjve në Bubël sjell mosmarrëveshje mes banorëve, komuna paralajmëron masa

Varrezat në fshatin Bubël të Malishevës janë të rrethuara me dru deri në 20 metra të gjatë, derisa ato u ruajtën për vite me radhë nga banorët.

Por të paprekur nuk mbetën edhe drunjtë përreth tyre, të cilët u prenë disa ditë më parë nga banorët e këtij fshati.

Idriz Shabanaj thotë se vendimi për prerjen e tyre u mor nga Kryesia e fshatit, vendim të cilin ai thotë se e kundërshtoi me qëllim që të ruhet kjo pasuri natyrore.

Sipas Shabanajt, dalja e tij kundër këtij vendimi i ka penguar Kryesisë së fshatit, e cila, sipas tij, vendimin e mori pa pëlqimin e shumicës së banorëve.

Ndërkaq të kundërtën e thotë përfaqësuesi i fshatit Bubël, Ahmet Rrahmanaj.

Ai thotë se prerja e këtyre tetë drunjve u bë me qëllim që të ruhen varrezat prej dëmtimit, derisa shton se do të vazhdojnë me prerjen e tyre.

Për këtë mosmarrëveshje mes banorëve janë të njoftuar edhe zyrtarë komunalë të Malishevës.

Zëdhënësi i kësaj komune, Artan Paçarizi, tregon se Komuna nuk ka lëshuar leje për prerje të drunjve.

Paçarizi tutje shtoi se Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për personat që kryen këtë veprim, derisa shpresojnë se një gjë e tillë nuk do të përsëritet.