Banorët e Sibocit në Obiliq kundërshtojnë ndërtimin e një gurthyesi

Arbnora Luta Arbnora Luta 26 January 2020 21:25

Lajmi se në fshatin e tyre do të nisë ndërtimi i një gurthyesi i ka shqetësuar banorët e fshatit Siboc të Komunës së Obiliqit.

Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen shumë pranë vendit ku po planifikohet operimi i këtij gurthyesi, janë bërë bashkë për të kundërshtuar këtë biznes, raporton KTV.

Jetesa tashmë e vështirë nga ndotja e ajrit shkaku i afërsisë me termocentralet, por edhe i mihjes së KEK-ut, thonë se vetëm sa do të rëndohej më tepër për ta.

Sipas tyre, veprimtaria e një gurthyesi këtu do ta shkatërronte edhe natyrën.

Operimin e gurthyesit në këtë fshat pa pëlqimin e banorëve e kundërshton edhe opozita në Obiliq.

Por Komuna e Obiliqit thotë t’ia kenë ndërprerë punimet kësaj kompanie, dhe se nuk do t’ia japin lejen e punës.

Megjithatë, Drilon Etemi, menaxher në fabrikën “SB-Construcion”, e cila planifikon të ndërtojë gurthyesin, nëpërmjet telefonit ka thënë për KTV-në se janë pajisur me të gjitha lejet e nevojshme për operim nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Por në përgjigjen e këtij komisioni dhënë për televizionin, vendi i operimit figuron të jetë Milloshevë, një fshat tjetër në Obiliq, ku e njëjta fabrikë prodhon asfalt.

Aty thuhet se ka leje për shfrytëzim deri në vitin 2023, ndërsa një leje tjetër për nxjerrje të gurit të fortë deri më 2027.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme