PDK-ja në Lipjan akuzon komunën për mosrespektim të ligjit anti-duhan

PDK-ja në Lipjan akuzon komunën për mosrespektim të ligjit anti-duhan

Agim Ademi Agim Ademi 21 January 2020 10:37

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan nëpërmjet një konference për medie të hënën, ka akuzuar qeverisjen lokale për mos respektim të ligjit anti-duhan.

Sipas këtij subjekti, inspektorati i komunës po i “mbyll” sytë kur bëhej fjalë për shqiptim të gjobave ndaj duhanpirësve në ambiente të mbyllura. Po ashtu PDK-ja ka ngritur akuza edhe ndaj udhëheqësve të ekzekutivit me arsyetim se ata shpeshherë i frekuentojnë kafenetë e qytetit dhe njëkohësisht pinë cigare barabartë me shkelësit e tjerë të ligjit anti-duhan. Në anën tjetër në komunën e Lipjanit kanë thënë se gjatë vitit të kaluar janë realizuar gjithsejtë 176 inspektime me procesverbale nëpër biznese të qytetit për mosrespektim të ligjit antiduhan, mirëpo niveli Qeveritar deri tashti nuk ka marrë hapa konkret për vendosjen e masave përfundimtare për këtë çështje, raporton Koha Ditore.

Ramiz Kozhani Anëtar i Kryesisë së PDK-së, në Lipjan nëpërmjet konferencës ka thënë se qeverisja lokale ka dështuar ta zbatoi ligjin i cili ndalon pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura dhe në ambiente publike.

“PDK-ja në Lipjan, shprehim shqetësimet tona dhe të qytetarëve të komunës së Lipjanit pasi që inspektorati komunal ka dështuar gjatë kohës së fundit t’i inspektoi restorantet e qytetit në të cilat konsumohet duhani pa ndërpre. Sa i përket institucioneve publike ne e dimë që inspektorati nuk e ka guximin as t’ia tërheq vërejtjen zyrtarëve komunal e lëre më të shqiptoi ndonjë gjobë ndaj tyre”, ka kritikuar Kozhani.

Sipas tij, në bazë të nenin 11 paragrafi 4.1 te ligjit antiduhan për personat juridik dënimi duhet të shqiptohet deri në 3 mijë euro, ndaj gjobat mund të shqiptohen edhe nëse zyrtarët e institucioneve të ndryshme i sjellin inspektoratit ndonjë fotografi apo ndonjë dëshmi të ngjashme lidhur me konsumimin e duhanit brenda institucioneve publike.

“Megjithëse inspektorati i komunës ka gjithmonë fakte për t’i dënuar duhanpirësit nëpër kafene dhe nëpër institucione publike, një gjë e tillë nuk po ndodh sepse vetë i pari i ekzekutivit të Lipjanit Imri Ahmeti e konsumon duhanin sa herë që del në kafene të qytetit, madje kjo edhe është dëshmuar nga qytetarët disa herë”, ka thënë më tej Kozhani.

Sipas tij, disa nga zyrtarët e institucioneve publike e konsumojnë duhanin edhe nëpër zyre, derisa PDK-ja ka pranuar ankesa edhe nga vetë kolegët e tyre.

“Ndërkaq, sa i përket pronarëve të restoranteve të cilët e lejojnë konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura atëherë inspektorët në bazë të ligjit në bazë të nenin 11 paragrafi 4.1 te ligjit për duhanin mund t’i ndëshkoi me nga 3 mijë euro gjobë, mirëpo kjo nuk po ndodh sepse ato biznese që menaxhohen nga militantët e partisë në pushtet e kanë të lejuar konsumimin e duhanit nga vetë kryetari i komunës pasi që ai vazhdimisht i frekuenton ato dhe konsumon cigare”, ka shtuar Kozhani.

Rreth kësaj çështje, të hënën, ka reaguar edhe OJQ “YAHR” e cila monitoron institucionet publike në komunën e Lipjanit. Kjo OJQ ka kërkuar nga inspektorati angazhim më të madh për parandalimin e konsumimit të duhanit nëpër kafene dhe hapësira publik. “Inspektorati i Lipjanit duhet të punoi më shumë për të gjetur zbatim ligji antiduhan.

Në shumicën e kafeneve, restauronte dhe në lokale të tjera shërbyese, konsumohet duhani pa ndonjë pengesë. Prandaj, inspektorët komunal duhet të jenë aktiv për inspektime, përkatësisht në këto vende ku ligji nuk po zbatohet. Deri tashti inspektorati i komunës mjaftë pak është angazhuar rreth kësaj çështje”, thuhet në reagimin e “YAHR”-s. Sipas tyre, ligji anti-duhan duhet të respektohet nga të gjithë, ndërkaq për shkelësit e tij duhet të shqiptohen gjoba nga inspektorët sanitar sipas neneve dhe paragrafëve të caktuara të ligjit anti-duhan. “Gjatë periudhës së fundit kemi pranuar shumë ankesa nga vetë qytetarët derisa kanë vërejtur se nëpër restauronte e kafene konsumohet në masë të madhe duhani. Prandaj secili biznes duhet ta ketë një hapësirë të veçantë për duhanpirësit mënyrë që mos t’i pengojnë të tjerët në vend të tilla. Kërkojmë edhe një herë nga inspektorati të marrë masa gjatë sezonit dimëror për t’i kontrolluar kafenetë dhe restorantet në mënyrë që duhani të parandalohet në ambiente të mbyllura”, thuhet në reagim.

Nga ana tjetër Imer Rrustemi, drejtor i inspektoratit të komunës së Lipjanit ka sqaruar se gjatë vitit të kaluar janë realizuar qindra inspektime me procesverbale për duhanpirësit, mirëpo rreth kësaj çështje niveli Qeveritar duhet të marrë hapa konkret për vendosjen e masave përfundimtare. Po ashtu sipas tij, për mbrojtjen e ambientit në përgjithësi edhe Policia e Kosovës janë të barabartë me inspektoratin, andaj duhet të angazhohen edhe ata sa më shumë që është e mundur.

“Sipas raportit gjatë vitit të kaluar i kemi 176 raste ndaj duhanpirësve, mirëpo është një problem se sa herë që inspektorët futen nëpër kafene, atëherë duhan pirësit i largojnë cigaret nga tavolina. Ndërkaq, në nivel Qeveritar, shteti nuk ka marrë hapa paraprak për vendosjen e masave përfundimtare për këtë çështje. Ne si komunë i kemi dërguar shkresë inspektoratit sanitar të Kosovës që të fillojnë me një iniciativë për kryeqendrën e pastaj të merret si mostër edhe nga komunat tjera, mirëpo deri tashti nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, ka thënë Rrustemi.

Sipas tij, gjendja e duhanpirësve nëpër komunat fqinje është më e rëndë, madje edhe hotelet prestigjioze nuk po e respektojnë ligjin antiduhan.

“Nëse niveli qendror nuk e dërgon një mostër se si parandalohet kjo dukuri, atëherë do të ketë telashe të tilla në të gjitha komunat e Kosovës, pavarësisht se në Lipjan qëndrojmë shumë më mirë se disa komuna të tjera pasi që edhe raporti vjetor i inspektoratit tregon se janë bërë inspektime në këtë drejtim dhe janë shqiptuar gjoba”, ka deklaruar Rrustemi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme