Arbëri

Hetohet procesi i përzgjedhjes së drejtorit të gjimnazit në Ferizaj

Prokuroria në Ferizaj ka autorizuar Policinë e Kosovës, pikërisht Departamentin e Krimeve Ekonomike për t’i nisur hetimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorit të shkollës “Kuvendi i Arbrit” në qytetin e Ferizajt.

Rreth kësaj çështjeje dyshohej se drejtori i kësaj shkolle (B. R) është zgjedhur nga Komuna në mënyrë të jashtëligjshme duke u shpërfillur disa procedura dhe udhëzimet e reja administrative të MASHT-it, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth këtij konkursi ka pasur ankesa zyrtare edhe nga vetë Këshilli Drejtues i gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”, pastaj nga OJQ-të dhe ndërkohë është debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Në anën tjetër, në Komunën e Ferizajt kanë thënë se Departamentit të Krimeve Ekonomike ia kanë ofruar të gjitha dokumentet e nevojshme për ta vërtetuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorit të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” është bërë në baza ligjore. Shukri Jashari, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka thënë se ka autorizuar Departamentin e Krimeve Ekonomike për ta hetuar këtë rast.

Në anën tjetër, me një shkresë zyrtare Këshilli Drejtues i shkollës “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj i është drejtuar Komunës duke kërkuar nga Komuna anulimin konkursit derisa janë shpërfillur procedurat dhe udhëzimet administrative.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)