Ka dështuar paralajmërimi i muajit prill i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skënder Dreshaj, për hapjen e Repartit të mushkërive.
“Duam ta bëjmë repartin e mushkërive ‘Nëna Terezë’ qendër kryesore për trajtimin e tuberkulozit në nivel vendi, në të cilin do të sillen për trajtim pacientët nga Klinika e Pulmologjisë në QKUK dhe nga spitalet e tjera në Kosovë. Ne e kemi dhënë mbështetjen tonë, pasi Peja e ka traditën për trajtimin e kësaj sëmundjeje infektive, por që duhet bërë disa investime në këtë spital, përfshirë edhe angazhimin e stafit shtesë. Besoj që kjo mund të ndodhë sivjet”, pati thënë Dreshaj.
Megjithatë, ky repart nuk është hapur, teksa autoritetet përgjegjëse arsyetohen me mungesën e stafit mjekësor, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo ide ka buruar nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare dhe Instituti i Shëndetit Publik për lirimin e kapaciteteve të Klinikës Pulmologjike, meqë në atë klinikë konsiderohet se nuk ka hapësirë të përshtatshme për këta pacientë, dhe kjo reformë ishte bërë që kati i dytë i objektit të Repartit të mushkërive në Pejë të bëhej qendër referente në nivel vendi për tuberkuloz.
Kjo ide për ta shndërruar Repartin e mushkërive në qendër referente për sëmundjen e tuberkulozit për krejt vendin, aktualisht është ende larg jetësimit, megjithëse në katin e dytë të objektit të mushkërive nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) janë bërë disa investime për përshtatjen e ambientit për qendrën e tuberkulozit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)