Qeriqi jep dorëheqje nga komisioni për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim, thotë ka kurdisje të tenderëve

Qeriqi jep dorëheqje nga komisioni për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim, thotë ka kurdisje të tenderëve

Agim Ademi Agim Ademi 11 December 2019 11:13

Këshilltari Komunal nga radhët e AAK-së në Lipjan Ramiz Qeriqi, ka dhënë dorëheqje nga komisioni për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për shkak të keqpërdorimeve dhe kurdisjeve të tenderëve.

Sipas Qeriqit, rasti i fundit ka të bëjë me dhënien e disa hektarëve në shfrytëzim për gurthyesit në fshatin Gadime.

“Nuk do të jem pjesë e këtij komisioni për shkak se edhe në të kaluarën derisa janë dhënë disa prona komunale në shfrytëzim dhe disa lokale në shfrytëzim kam dyshuar se po keqpërdorët procesi. Së fundi komuna më ka ftuar ta nënshkruaj edhe dhënien e parcelave në shfrytëzim për gurthyesit në Gadime, mirëpo nuk kam shkuar sepse kam dyshuar se tenderi është i kurdisur”, ka thënë Qeriqi, raporton Koha Ditore.

Sipas tij, është shqetësuese se në Gadime ka gurthyes që funksionojnë prej 30 vjetësh ndërkaq ato po synojnë t’i mbyllin me qëllim që parcelat e tyre t’i jepen disa operatorëve të huaj jashtë komunës së Lipjanit.

“Kam kërkuar me kohë që paraprakisht të dalë procesi në diskutim publik dhe ta marrim pëlqimin e banorëve të Gadimet sepse ata nuk besoj qe e lejojnë të degradohet ambienti nga gurthyesit. Po ashtu kam kërkuar të nxirrej një rregullore e re që t’ia mundësoi të gjithë gurthyesit të punojnë në mënyrë të barabartë por edhe atyre gurthyesve nga Gadimja të cilat punojnë qe 30 vjet. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, prandaj në mesin e 7 anëtarëve të komisionit le ta marrin ndonjë anëtar tjetër të dëgjueshëm. Sidoqoftë, ky proces mendoj se duhet të rikthehet për debat në Kuvend në mënyrë që mos të diskriminohet asnjë biznes i tillë. Vlen të përmendej se të gjitha dokumentet e operatorëve vijnë të kompletuara para komisionit, andaj neve nuk na mbetet shumë punë sepse dyshoi se gjithçka po kurdiset paraprakisht, prandaj nuk dua të jem pjesë e komisioneve të tilla”, ka thënë Qeriqi.

Ai ka shtuar se gurthyesit në përgjithësi e ndotin ambientin, krijojnë zhurmë dhe dridhje të mëdha, andaj duhet të vendosen sa më larg vendbanimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme