Arbëri

Ndërpriten punimet për impiantin në Pejë​​​​​​​ shkaku i kontestit pronësor

Ka disa ditë që janë ndërprerë punimet e nisura për shtrimin e gypave kryesorë të kanalizimit në dy pika kaluese nga njëra anë në tjetrën të brigjeve të Lumëbardhit, afër rrugës transitore që lidh magjistralet Prishtinë me atë në drejtim të Deçanit.

Shkak i ndërprerjes së punimeve është një kontest pronësor i shfaqur në mes komunës dhe një qytetari për një parcelë prej 9 arësh tokë, që gjendet në lokacionin buzë Lumëbardhit, rreth 100 metra më poshtë urës në rrugën e transitit, që në Pejë njihet si ura e KFOR-it, shkruan sot Koha Ditore.

“Janë duke punuar në shtrimin e gypsjellësit kryesor të kanalizimit dhe disa shpime në mure të lumit që bëhet për të kaluar anën tjetër të lumit. Në atë pikë që janë duke punuar ka dalë ai problem dhe për momentin janë ndërprerë punimet. Ne e kemi bërë edhe një alternativë tjetër rezervë nëse në atë pikë pamundësohet të punohet. Por Komuna duhet ta zgjidhë këtë çështje pasi në këtë projekt ajo është përgjegjëse për shpronësime të tokave”, thotë Agron Tigani, drejtor i ujësjellësit rajonal “Hidrodrini”, e cila ndërmarrje publike edhe figuron si punëdhënës i këtij projekti në tabelën e madhe të vendosur jo larg punishtes ku janë ndërprerë punimet.

Ajo parcelë në kadastër figuron në emër të Nimon Magjun Gashit, kurse punimet i ka ndërprerë Kushtrimi Mahmutdemaj, i cili pretendon se është pronar i asaj toke, që, sipas tij, e ka blerë para pesë vjetësh nga trashëgimtarët e pronarit Nimon Magjun Gashi. Këtë ngastër kadastrale me numër 5551/4 Komuna tashmë e ka shpallur interes publik, për ndërtimin e gypit kryesor të impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në Pejë, afër “Urës së KFOR-it”, dhe është miratuar në takimin e fundit të Kuvendit Komunal. Mirëpo, edhe pse e ka shpallur interes publik atë ngastër, edhe komuna pretendon se ajo parcelë është pronë e saj, edhe pse toka ende figuron në pronësi private.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)