Kërkohet kujdes i përhershëm i hapësirave përreth liqenit të Batllavës

Kërkohet kujdes i përhershëm i hapësirave përreth liqenit të Batllavës

06 December 2019 18:22

Kujdes i përhershëm është kërkuar për hapësirat përreth liqenit të Batllavës në Orllan të Podujevës.

Në një tryezë që është organizuar nga Organizata Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK) është kërkuar gjithashtu shfrytëzimi i mundësisë së kësaj pjese për turizëm. Nëpërmjet një komunikate, kjo Organizatë ka thënë se kjo tryezë me temën “Kujdesi institucional për mirëmbajtjen e hapësirave përreth Liqenit “Batllava” dhe mundësia e zgjerimit të zonave gjelbëruese”, është organizuar në kuadër të projektit “Aktivizmi qytetar dhe institucional në përmirësimin e gjendjes së mjedisit për ujë cilësor”.

“Meqenëse zonat përreth Liqenit karakterizohen me bukuritë natyrore, dhe në anën tjetër mungon kujdesi institucional për të krijuar mundësitë e turizmit, u organizua kjo tryezë me akterë relevantë, nga niveli qendror dhe ai lokal, me qëllim lehtësimin e koordinimit ndërinstitucional për gjetjen e një zgjidhje për mirëmbajtje permanente të hapësirave përreth liqenit dhe mundësinë e zgjerimit të zonave gjelbëruese në fshatin Orllan”, thuhet në komunikatën e SDK-së.

“Nga të pranishmit u diskutua mjaft shumë çështja e vendimit të qeverisë ku parashihet Liqeni i Batllaves si zonë e mbrojtur dhe në këtë kontekst pamundëson realizimin e projekt-ideve që zhvillojnë turizmin në këtë zonë. Nga përfaqësues të Institutit për Planifikim Hapësinor në kuadër të MMPH, u potencua që është iniciuar një projekt strategjik, që i jep mundësi zhvillimit të turizmit, konkretisht në zonën e Orllanit me iniciativë të OJQ SDK”, përcjellë Koha Ditore.

Mirëpo, siç thuhet në komunikatë, ky projekt ende nuk është prezantuar në instanca më të larta, për faktin se do duhej të kalojë në disa filtra me qëllim që të jetë në harmoni me ligjet në fuqi.

“Nga gjithë akteret prezent në tryezë u pajtuan se problem në ketë zonë vazhdon të mbetet mungesa e përkujdesjes institucional për mirëmbajtje të përhershme të hapësirave përreth liqenit. Andaj si propozim i përmbledhur ishte që niveli lokal, gjegjësisht komuna e Podujevës, duke qenë e përkrahur edhe nga shoqëria civile, do duhej të bëjë presion pozitiv ndaj nivelit qendror që zonat përreth liqenit Batllava të kenë kujdesin institucional në mirëmbajtjen e tyre dhe mundësinë e zhvillimit të turizmit”, thuhet tutje në komunikatën e Sundimit të Demokracisë në Kosovë.

“Penalistë në këtë tryezë ishin Luan Nushi – drejtor në Institutin për Planifikim Hapësinor në MMPH; Faik Muqiqi – drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Podujevës; Mirsad Kamerolli - drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në komunën e Podujevës; Nuredin Ibishi - ish deputet i Parlamentit të Kosovës; Xhevat Azemi – ekspert ligjor.

Ndërsa pjesëmarrës tjerë ishin edhe këshilltarë të Kuvendit Komunal të Podujevës, shoqëria civile në nivel lokal si dhe banorë të fshatit Orllan. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe implementohet nga OJQ Sundimi i Demokracisë në Kosovë – SDK”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme