Zyrtarë komunalë e qendrorë me aktakuzë për ndërtimet pa leje në Prevallë

Zyrtarë komunalë e qendrorë me aktakuzë për ndërtimet pa leje në Prevallë

Fisnik Minci 21 November 2019 09:30

Prokuroria Speciale e Kosovës, të mërkurën, ka bërë të ditur se ka paraqitur aktakuzë ndaj pesë personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me ndërtimet pa leje në Prevallë të Prizrenit.

Sipas njoftimit të kësaj prokurorie, katër të pandehur janë akuzuar në cilësi të zyrtarëve të Komunës së Prizrenit dhe një tjetër në cilësi të zyrtarit të MMPH-së, shkruan sot Koha Ditore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër pesë personave me inicialet B.H., E.B., N.M., B.K. dhe R.D., për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK-së dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kjo prokurori ka theksuar se “të pandehurit E.B., N.M., B.K. dhe R.D., duke punuar si persona zyrtarë në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për pronarët e objekteve pa leje ndërtimore në regjionin e Parkut Nacional “Sharri“ në Prevallë dhe shkaktimit të dëmit për Parkun Nacional dhe shtetin e Kosovës, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22 qershor 2006, kur Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm Rregullues Urban për atë zonë, deri më datë 3 maj 2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) me vendim e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin nr. 2004/15, nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre 7 vjetëve e kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi, duke reaguar vetëm në disa raste”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme