Arbëri

Pushteti në Pejë ngre dyshime për trajtimin e qenve endacakë

Numri i qenve endacakë në pjesët urbane, por edhe ato rurale të Pejës, është rritur ndjeshëm, pavarësisht trajtimit në kuadër të projektit nacional për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, tregon se gjatë vitit 2018 ka zhvilluar projektin “Menaxhimi i qenve endacakë”, që ka qenë si fazë emergjente për të trajtuar problematikën e qenve endacakë në të gjithë territorin e vendit e në rastin konkret edhe në Komunën e Pejës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sipas informacioneve të marra nga terreni, në këtë komune janë trajtuar një numër i konsiderueshëm i qenve endacakë, të cilët mbajnë edhe numra identifikues në vesh”, thotë Thaçi, pa treguar se sa qen janë trajtuar në Komunën e Pejës. Thaçi tregon se aktualisht janë duke punuar për ta vazhduar projektin e njëjtë, porse a do të nisë dhe se kur do të nisë, ai tha se nuk mund të spekulojë, për shkak të çështjeve procedurale që janë.

“Por pa këtë projekt trajtimi dhe menaxhimi i qenve endacakë është kompetencë e Komunës. Edhe vitin e kaluar ka qenë faza emergjente për shkak se nuk po punojnë komunat për trajtimin e qenve endacakë, se udhëzimet administrative e obligojnë komunën për t’u marrë me këtë problematikë. Se edhe vjet ka qenë fazë emergjente dhe qeveria na ka obliguar me atë projekt vetëm për t’u dalë në ndihmë komunave”, pohon Thaçi.

Mirëpo, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremeti, mohon që Komuna aktualisht i ka kompetencat për trajtimin e qenve endacakë, pavarësisht që me një udhëzim administrativ komunat kanë qenë të obliguara të merren me trajtimin e qenve endacakë.

AUV-i ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e keqpërdorimit të mundshëm me projekt.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)