Arbëri

Nëse niveli i ujit në Përlepnicë bie nën 7 metra nga 9 sa është tani, gjilanasit mbesin pa ujë

Banorë të Komunës së Gjilanit tash e dy muaj janë duke u përballur me mungesë të ujit për pije. Por, banorët e këtushëm rrezikojnë të mbesin pa furnizim me ujë, ngase Gjilani ka rezerva uji vetëm edhe për një muaj.

Kjo si shkak i motit të nxehtë dhe mungesës së reshjeve atmosferike, raporton KTV.

Mungesa e reshjeve atmosferike ka bërë që edhe niveli i ujit në Liqenin e Përlepnicës të bie shumë.

Niveli i ujit në liqenin e Përlepnicës ka rënë nga 30 në 9 metra, zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava” i kanë thënë televizionit se, nëse niveli i ujit bie nën 7 metra, shfrytëzimi i ujit është i pamundur.

E, të shqetësuar me gjendjen janë edhe në Komunën e Gjilanit. Kryetari Lutfi Haziri tha se po punojnë për të gjetur alternativa për ujë.

Haziri fajësoi edhe Qeverinë e Kosovës, e cila e kishte refuzuar kërkesën e Komunës për ndarjen e 650 mijë eurove për ta tejkaluar situatën emergjente.

Kreu i Komunës, por edhe udhëheqës të Ujësjellësit, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit që të mos e keqpërdorin ujin.