Në këtë gjendje ka mbetur tash e sa kohë bust i heroit Adem Jasharit në Prekaz.
Në gjendje jo të mirë ndodhet edhe shtëpia-muze, në të cilën vizitat janë tejet të shpeshta, raporton KTV.
Vizitorët thonë se fajtorë për këtë gjendje janë institucionet.
Qytetarët thonë se shkak të rëndësisë që ka kompleksi, institucionet duhet të merren më seriozisht me të.
E në familjen Jashari nuk kanë dashur të prononcohen.
Ekipi i KTV-së ka provuar që të marrë një përgjigje nga ciceroni dhe mbikëqyrësit e këtij kompleksi dhe për dëmtimet e bustit, por ata kanë thënë se e kanë të ndaluar nga drejtori të flasin për këtë çështje.
I kontaktuar nga televizioni, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes telefonit, ka thënë se nuk është person kompetent që të flasë për këtë kompleks.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se dëmtimet janë shkaktuar kohë më parë.
Për investime në këtë kompleks, deri tani janë ndarë rreth 10 milionë euro, por që, sipas Zogajt, pa përfunduar procedurat nga qeveria, e kanë të pamundur të ndërhyjnë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar qysh në vitin 2007 Ligjin për shpalljen e kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë nacional.
Ndërkaq, 2019-a ka qenë viti me më së shumti vizitorë në këtë kompleks, ku gjenden edhe varrezat e të rënëve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.