Komuna e Ferizajt ka ndërtuar një sallë sportive në fshatin Gaçkë në vlerë financiare prej 117 mijë eurosh, teksa LDK-ja e ka cilësuar tenderin për të, të kurdisur nga ekzekutivi.
Pretendime për shkelje ka paraqitur edhe grupi i monitoruesve të organizatave joqeveritare. Gjatë monitorimit të projektit në fazën e dytë të ndërtimit të kësaj salle është gjetur se në njoftimin për kontratë vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100 mijë euro, ndërkaq çmimi i ofertës fituese 117 mijë e 209.95 euro, shkruan sot Koha Ditore.
Balton Dërguti, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, ka thënë se është shqetësuese se ekzekutivi i Komunës ka keqmenaxhuar me paranë publike derisa ndërtimi i kësaj salle i ka kushtuar 32 mijë euro më shumë buxhetit të Komunës.
“Komuna e Ferizajt dhe drejtoria përkatëse kanë keqmenaxhuar me paranë publike gjatë procedurave të projektit të sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë. Po ashtu është shumë shqetësuese edhe zgjatja e këtij tenderi për 30 ditë, sepse në këtë mënyrë krijohen shumë dyshime se ky tender është kurdisur me kohë nga ekzekutivi. Pra, këtë çështje duhet ta debatojmë edhe në mbledhjen e radhës së KK-së për ta mësuar saktësisht opinioni se si është keqmenaxhuar paraja publike në këtë komunë”, ka thënë Dërguti.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)