Arbëri

Opozita në Podujevë akuzon Komunën se mjetet e bulevardit po i përdor për vota

Foto: Koha

Realizimi i projektit të bulevardit të qytetit të Podujevës është duke shkuar drejt dështimit për herë të tretë.

Ky projekt kishte qenë i planifikuar të fillonte në vitin 2017, por atëkohë qeverisja komunale mjetet e parapara i kishte ridestinuar në projekte të vogla-asfalt e trotuare, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkohë, vitin e kaluar ka filluar të ndërtohet rrjeti i ri i kanalizimit fekal e atmosferik, por e njëjta kontratë nuk përfshinte edhe punimet e tjera. E prej atëherë asgjë më nuk është punuar.

Opozita e kësaj komune dyshon se kjo po bëhet pikërisht për vota. Edonë Çitaku nga Lëvizje Vetëvendosje, thotë se mjetet e këtij projekti po konsiderohen si makineri e votave.

“Disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore të Komunës së Besianës përveç faktit që i kanë kushtuar miliona euro as sot nuk janë finalizuar, ndër to është edhe projekti i ndërtimit të ‘Sheshi i Dëshmorëve’ rr. ‘Zahir Pajaziti’ në qendër të qytetit”, ka thënë Edonë Çitaku.

Edhe këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë se LDK-ja nuk mund të realizojë projekte të mëdha.

Në buxhetin e këtij viti janë 866 mijë e 500 euro të parapara për realizimin e projektit të bulevardit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoi sot në “Koha Ditore”)