Ulet çmimi i rrushit, vreshtarët e Rahovecit thonë se me këtë problem ballafaqohen çdo vit

Leonita Bajrami 14 September 2019 21:01

Ka filluar vjelja e rrushit në Komunën e Rahovecit.

Vreshtarët e këtij rajoni thonë se kanë filluar ta dërgojnë te kompanitë e ndryshme për përpunim.

Mirëpo, ata të cilët kanë kontratë me kompaninë Stone Castle, janë të pakënaqur me çmimin që po u ofrohet.

Ata prapa kamerave, i kanë thënë KTV-së se nuk po u paguhen as shpenzimet që i kanë bërë.

E në emër të tyre, ka folur kryetari i shoqatës së vreshtarëve, Habib Dina, i cili ka thënë se me uljen e çmimit po përballen çdo vit, raporton KTV.

Ndërkaq, sipas menaxherit të Stone Castle, nuk kanë pasur ulje të gjitha varietetet e rrushit.

Por, edhe ato që kanë pasur sipas Ylber Bajraktarit, janë për shkak të cilësisë së ulët të rrushit.

Bajraktari ka thënë që po mundohen të ndihmojnë vreshtarët edhe në kohën kur nuk kanë nevojë për sasi shtesë të rrushit.

Në Komunën e Rahovecit tregojnë se janë informuar për këtë çështje.

Mirëpo, sipas Veli Gashit, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, ata nuk mund të ndërhyjnë në caktimin e çmimit, pasi që siç thotë, tregu është i lirë.

Këtë vit, llojet vendore të rrushit në Kosovë kanë pësuar ulje. Që i bie nga 26 centë për kilogram sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit kushton 11 centë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme