Arbëri

Fshatit që iu tha lumi, por i mbeti emri

Descriptive Text

“Ballit të Rekës” i kanë mbetur veç shtrati, dheu dhe gurët e pakët. Aty-këtu gjurmë të kanalit prej nga dikur zbriste uji prej bjeshkës. Thatësinë vende-vende ia mbulojnë barishtet.

“I shkretë ka mbetur. Ka kohë që nuk kemi parë këndej të rrjedhë ujë. Kur bie ndonjë rrebesh shiu apo kur bora shkrihet përnjëherë, mund të mbledhë sasi të vogël uji, që edhe ashtu toka e ‘përpin’ shpejt. S`ka më lumë si dikur”, thotë Ismet Neziri, banor i fshatit Velikorekë të Podujevës, shkruan Koha Ditore.

Në vitin 1862, fshati e mori emrin Velika Reka (nga serbishtja Lumi i madh), sipas lumit që rridhte aty.

Vëllim të ujit kishte edhe deri para 20 vjetësh, por jo siç përshkruhej dikur. Ndër vite, fshatit iu shtuan banorët, gjë që ndikuan në fatin e tij. Lëvizjet tektonike të tokës dhe ndryshimi i rrjedhës së lumit nga dora e njeriut dyshohen të kenë ndikuar në shterjen e tij.

Shumë vite më parë aty ishin tre mullinj. Banorët i shfrytëzonin për të bluar misër.

Vendndodhjen e dikurshme të tyre, Neziri, i cili sot është 70 vjet dhe me profesion piktor, mund t`i identifikojë. Mirëpo, gjurmët e mullinjve janë zhdukur.

“Ja, këtu ishte mulliri që ishte ndërtuar nga gjyshi im. E kemi shfrytëzuar edhe ne me aq sa mbaj mend në fillet e fëmijërisë. Siç më rrëfente babai, mulliri ka punuar tërë kohën për nevojat që kishin, për bluarjen e misrit. Vëllimi i ujit e kishte mundësuar atë. Pos familjes sonë, një tjetër mulli e kishin serbët e fshatit dhe një familje tjetër pak më poshtë, që njihen si ‘Brimollt’”, thotë Neziri.

Mullinjtë, siç rrëfen ai, ndër vite patën filluar t`i ndalnin e të mos i përdornin, për shkak se më nuk kishte ujë të mjaftueshëm.

Lumi, burimin thotë se e ka pasur në krye të kodrës. Prej andej ka rrjedhë e ka zbritur në rrafsh.

“Vëllim të ujit dikur kishte sa të duash. Me të, pos që e kemi shfrytëzuar për mullinj, tërë verën i kemi ujitur arat përreth dhe e kemi përdorur për nevoja të tjera, të kohës. Ka pasur raste edhe që uji ka dalë nga shtrati dhe i ka ‘marrë’ arat”, vazhdon Neziri.

Shkaqet që besohet të kenë shkatërruar lumin, sipas tij, janë lëvizjet tektonike të tokës, por edhe moskujdesi i banorëve... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)