Dega e PDK-së në Prizren ka reaguar pas emërimit të drejtoreshës së re të Arsimit në Komunën e Prizrenit, duke e akuzuar kryetarin Mytaher Haskuka për qasje joserioze në raport me këtë dikaster.
Sipas subjektit më të madh opozitar, Ekzekutivi i Prizrenit po eksperimenton me arsimin në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.
“Këtë më së miri e dëshmon emërimi i drejtoreshës së re të DKA-së, ku në krye të saj sillet një njeri pa kurrfarë përvoje në këtë fushë"”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të martën pasdite pati njoftuar se Xhemile Thaçi-Vezgishi do të jetë drejtoresha e re e Arsimit në Komunën e Prizrenit. Haskuka pati theksuar se fakti që ajo është një figurë apartiake dhe se “emri i saj nuk ndërlidhet me asnjë parti politike, jep një mesazh të qartë dhe tregon vendosmërinë tonë për depolitizimin e sistemit arsimor”.
Kreu i Komunës pati njoftuar se drejtoresha e re është e diplomuar në gjuhë dhe letërsi angleze, ndërsa studimet master i ka përfunduar në trashëgimi kulturore dhe menaxhim të turizmit, si dhe është duke i vijuar ato edhe në letërsi angleze.
“Ka punuar si profesoreshë e gjuhës angleze dhe është angazhuar në projekte të ndryshme në organizatat ndërkombëtare si UNOPS, OSCE, EUOEM dhe së fundi në Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport”…(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")