Së paku dy lopë raportohet të kenë ngordhur, e dyshimet janë se ato u helmuan pasi pinë ujë në Drinin e Bardhë.
Njoftimin e ka bërë faqja në Facebook, “Peshkimi në Kosovë”.
“Me datën 31.08.2019, gjatë orëve të mbrëmjes lopët e fshatit Dobrusht kanë pirë ujë në vendin ku dhe kanë ngordhë para disa ditëve peshqit në Drinin e Bardhë. Pra vazhdon helmimi në Lumbardhë të Prizrenit dhe Drinin e Bardhë në Prizren. Sot në mbrëmje i kanë ngordhur dy lopë axhës Saramatit nga fshati Dobrusht si pasoj e helmimit nga hedhja e kemikaleve në Drinin e Bardhë”, thuhet në njoftimin e kësaj faqe në Facebook.
“Tani uji për bagëtinë e disa fshatrave në Drinin e Bardhë sjell pasoja dhe në ngordhjen e bagëtisë dhe çdo gjallese, si peshqit dhe shpezët”, thuhet më tej aty.
Në këtë faqe gjithashtu kërkohet urgjent nga organet e kundër krimeve ekonomike, si dhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit të marrin masa urgjente, siç thonë për parandalimin e disa bizneseve private të njohura, ku pandërprerë hedhin kemikale në Lumin Drini i Bardhë.
Ky nuk është rasti i vetëm i kohëve të fundit, kur lopët kanë ngordhur si pasojë e kontaminimit të lumit të lumenjve. Më 28 gusht, KTV-ja raportoi se si ndotja e lumit Klina u shkakton telashe bujqve në disa fshatra të Skenderajt.
Ndotja e lumit Klina u shkakton telashe bujqve në disa fshatra të Skenderajt
Musli Geci që është kthyer nga Zvicra për të investuar në fshatin e tij të lindjes, Llaushë të Skënderajt, ku ka hapur një fermë, në të cilën ka të punësuar disa persona, i kishin ngordhur disa lopë, pasi ujin për to e kishte siguruar gjithmonë nga Lumi Klina.
Ky lum ka disa javë që është ndotur nga ujërat e zeza. Ai thotë se ka pasur plan që ta zgjerojë biznesin, megjithatë ky problem ia pamundëson këtë.
Me të njëjtin problem ballafaqohet edhe një tjetër banor, i cili ka disa vjet që merret me bujqësi. Edhe banorët e tjerë të cilët banojnë rreth këtij lumi thonë se impianti për trajtimin e ujërave të zeza është duke e ndotur lumin.
E KTV-ja sonte ka raportuar për ngordhjet e 12 ton peshqve në Drinin e Bardhë.
Mbi 12 ton peshq ngordhin në Drin, askush s’e pranon fajin për kontaminim të ujit