Arbëri

Kilometra të tëra me pyje po digjen në Gjakovë, terreni i vështirë po e vonon shuarjen

Mbrëmjen e 26 gushtit, zona pyjore në fshatin Popoc të Gjakovës u përfshi nga flakët.

Zjarri që shpërtheu në këtë fshat ka përfshirë kilometra të tërë të zonës pyjore.

Derisa, për banorët e fshatit, gjendja në këtë zonë është shqetësuese.

E, sipas ushtruesit të detyrës së Komandantit për Brigadën e Zjarrfikësve në Gjakovë, Xhavit Gashi, zjarri u shkaktua nga shkaqe natyrore.

Gashi tha se vështirësitë për të depërtuar në zonën ku ka zjarr, janë të mëdha, marrë parasysh mungesën e rrugëve alternative.

Derisa shtoi se në rast të erërave të forta, nga zjarri mund të preket edhe pjesa e kufirit me Shqipërinë. Përveç zjarrit në këtë zonë, Gashi tha se zona ballafaqohet edhe me probleme të tjera që e vështirësojnë punën.

Përpos njësiteve zjarrfikëse, të njoftuar me problemin janë edhe autoritetet pyjore komunale si dhe shërbimet emergjente. Autoritetet kanë shfaqur gatishmërinë për të ndihmuar me situatën, derisa u bënë thirrje edhe banorëve që të ndihmojnë sipas mundësive.

Për shkak të gjendjes alarmante në këtë zonë, zjarrfikësit e Brigadës së Gjakovës kanë kujdestaruar deri në 52 orë pa pushim. E, përpos dëmeve në pasuritë pyjore, Brigada e Zjarrfikësve në Gjakovë njoftoi se nuk pritet të ketë dëmtime në prona private.

Ndonëse, gjendja momentale nuk është aspak e mirë.