Arbëri

Ndotja e lumit Klina u shkakton telashe bujqve në disa fshatra të Skenderajt

Musli Geci është kthyer nga Zvicra për të investuar në fshatin e tij të lindjes, Llaushë të Skënderajt.

Ai aty ka hapur një fermë, në të cilën ka të punësuar disa persona.

Megjithatë tash së fundi atij i kanë ngordhur disa lopë, pasi ujin për to e kishte siguruar gjithmonë nga Lumi Klina, raporton KTV.

Ky lum ka disa javë që është ndotur nga ujërat e zeza.

Ai thotë se ka pasur plan që ta zgjerojë biznesin, megjithatë ky problem ia pamundëson këtë.

Me të njëjtin problem ballafaqohet edhe një tjetër banor, i cili ka disa vjet që merret me bujqësi.

Edhe banorët e tjerë të cilët banojnë rreth këtij lumi thonë se impianti për trajtimin e ujërave të zeza është duke e ndotur lumin.

Ata thonë se me anë të këtij lumi kanë ujitur të mbjellat e tyre.

Se ky impiant është duke ndotur lumin e pranon edhe menaxheri i impiantit, Nezir Gecaj.

Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Skënderaj është ndërtuar në vitin 2006 me kapacitet për të menaxhuar ato për një popullatë prej 5 mijë personash.

Por, sipas Gecajt me rritjen e numrit të banorëve impianti mund të trajtoj 80% të ujërave të zeza ndërsa 20% e tyre derdhet në lum.

Gecaj shton se ky ujë nuk është i dëmshëm për kafshët apo gjallesat e tjera në të, përderisa banorët thonë se ka kohë që në lum nuk ka as peshq.