Arbëri

Keqpërdorimi i ujit zgjat orarin e reduktimit në Pejë

Pejë, 26 gusht – Qytetarët e Pejës as kësaj vere nuk janë duke u kursyer nga reduktimet e ashpra të ujit të pijshëm. Autoritetet e kompanisë “Hidrodrini” kanë bërë të ditur se kjo po ndodh për shkak të keqpërdorimit të ujit, por edhe nga mungesa e ujit në burime.

Por, një situatë e tillë është bërë e padurueshme për qytetarët.

“Kemi reduktime gjatë ditës nga 5 deri 7 orë. Asgjë nuk është përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara. Po thonë në ujësjellës se furnizimi po bëhet përmes gypave me rënie të lirë dhe kur s'ka të reshura për një kohë kapaciteti i ujit për furnizim me ujë të pijshëm zvogëlohet në maksimum dhe si rezultat i kësaj janë reduktimet që dinë me qenë radikale dhe për një kohë të gjatë, pa marrë parasysh stinën e vitit, qoftë pranverë, verë apo vjeshtë. Kurse askush nga kompetentët nuk po e shohin të arsyeshme me gjet zgjidhje adekuate për këtë çështje aq të rëndësishme jetësore për qytetarët”, ankohet banori i lagjes “Haxhi Zeka” në Pejë, Hidaverdi Spahija. E në ujësjellës tregojnë se qe disa ditë kanë filluar me orar të reduktimeve. “Duke pasur parasysh temperaturat e larta, ka filluar të vërehet mungesa e ujit në burime. Në mënyrë që të gjithë të kemi ujë, jemi detyruar te fillojmë aplikimin e reduktimeve”, thuhet në njoftimin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”. Këto orare të reduktimit po zbatohen për disa lagje në qytet dhe për fshatra. Këto reduktime, që po zbatohen, sipas drejtorit të “Hidrodrinit”, Agron Tigani, edhe për shkak të keqpërdorimit të ujit nga qytetarët. Qyteti dhe fshatrat e Pejës, furnizohen me ujë të pijshëm nga dy burime. Burimi i Drinit të Bardhë në Radac dhe burimi Uji i Zi, që gjendet në dalje të qytetit në drejtim të Grykës së Rugovës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")