Haskukës nuk i mjafton ngritja e aktakuzës ndaj drejtorit për ta shkarkuar

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 24 August 2019 20:35

Ka disa ditë që disa organizata të shoqërisë civile në Prizren përmes një reagimi i kanë kërkuar kryetarit të Prizrenit që të shkarkojë drejtorin e Ekonomisë dhe Financave, ndaj të cilit ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, nuk i ka mjaftuar ngritja e aktakuzës që të ndërmarrë masa ndaj tij.

Haskuka thotë se para se ta marrë vendimin që ta shkarkojë drejtorin e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të analizojë gjithë dokumentacionin për çka ai akuzohet, raporton KTV.

Derisa Haskuka thotë se të gjitha këto vendime që pagesat të kryheshin pa procedura tenderime, ishin vendime të ish-kryetarit Ramadan Mujës dhe kryesuesit të Kuvendit.

Sipas Haskukës, drejtori, Ertan Simitçi, ishte vetëm zbatues i këtyre vendimeve.

Haskuka thotë se nuk ky është rasti i parë që prokuroria në Prizren po ngrit akuza ndaj zyrtarëve, të cilët vetëm kanë zbatuar vendimet derisa ata që i morën dhe i nënshkruan këto vendime nuk hetohen fare.

E, për këto shqetësime, Haskuka thotë t’i ketë shkruar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për të gjitha këto akuza të Haksukës, Prokuroria Themelore në Prizren përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se Komuna, në vazhdimësi është duke ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në pavarësinë e organeve të drejtësisë. Derisa kjo prokuroria ka thënë se ajo është e vendosur në luftimin e krimit pavarësisht pozitës së zyrtarëve.

“Prokuroria Themelore në Prizren, është e vendosur në luftimin e krimit dhe do t’i hetoj dhe akuzojë të gjithë personat që shkelin ligjin pavarësisht pozitës apo dallimeve tjera. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, nenit 47 “Pavarësia e prokurorit të shtetit“ thuhet se: Organet publike nuk mund të ndikojnë në mënyrë formale apo joformale, e as të drejtojnë veprimet e prokurorit të shtetit në trajtimin e çështjeve individuale penale apo në hetime”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Prokuroria po e akuzon Ertan Simitçin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në qeverisjen e kaluar në Prizren.

Sipas aktakuzës, në periudhën janar – dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Ekonomisë dhe Financa, ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media.

Ai dyshohet se kishte lidhur kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet, kontratat kanë arritur shumën prej 11.800 euro në vit për të transmetuar materiale të ndryshme për nevoja të Komunës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme