Arbëri

Një tjetër aktakuzë për ish-drejtorin e Administratës në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër Ilir Baldedaj, ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, për keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar .

Sipas aktakuzës, Baldedaj prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018, në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar - Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, bënë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (llaptop dhe çanta të llaptopëve) për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh dhe në vërtetimin mbi pranimin e llaptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore, ndërsa për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së, njofton Gjykata themelore në Prizren.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.

Kujtojmë se muaj më parë, Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, Ilir Baldedaj, pasi e ka shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ilir Baldedaj akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale./ksp