Arbëri

Objekti i ri i Pediatrisë në Mitrovicë nuk funksionalizohet edhe pse ka pesë vjet që u ndërtua

Objekti i paraparë të shërbente si klinikë pediatrike në Komunën e Mitrovicës, edhe pesë vjet pas përfundimit të punimeve, vazhdon të mbetet i mbyllur.

Derisa ky objekt vazhdon të mos jetë i hapur për punë, stafi i spitalit pediatrik në Mitrovicë, shërbimin duhet ta kryejë në kushte shumë të vështira pune, raporton KTV.

Gjendja aktuale brenda objektit ku reparti i Pediatrisë mjekon pacientë, nuk i përmbush as kushtet elementare për punë, sipas shefit të këtij reparti, Rrahman Merovci.

Merovci, përkundër kushteve të vështira, thekson se në këtë repart, vetëm gjatë ditës, më shumë se 200 pacientë pranojnë trajtim nga stafi mjekësor.

Ai, po ashtu, theksoi se përveç mungesës së mjeteve elementare për punë, ky repart përballet edhe me mungesë të stafit, derisa i bëri thirrje Ministrisë të mos e neglizhojë gjendjen e tyre.

për problemet e mosvendosjes në repartin e ri të Pediatrisë, brenda oborrit të drejtorisë së spitalit, Merovci thotë se ka shumë fajtorë.

Për këtë çështje, asamblisti nga radhët e LDK-së në Mitrovicë, Fahri Uka, thotë se problemin kryesor nuk e bart niveli komunal, por SHSKUK-ja.

KTV-ja, jozyrtarisht ka mësuar se objekti i ri, përkundër faktit se është jofunksional për shërbime, aktualisht shfrytëzohet si depo për barna.

Ndërsa, as Zyra e drejtorisë së spitalit në Mitrovicë e as SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje për KTV-në rreth kësaj çështjeje.