Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Kamenicë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Në njoftimin për media thuhet se kjo iniciativë është bërë e mundshme falë financimit të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë dhe bashkëpunimit me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Kamenicës, dhe fondacionit Action for Mothers and Children.
“Qendra e 11-të ‘Klasat për Nëna’ e hapur tani edhe në Kamenicë do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës”, thuhet në njoftim.
Qendra Informuese në Kamenicë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Komunës së Kamenicës, si dhe partneret e tyre.
Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Kamenicë, në uebfaqen e Action for Mothers and Children si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës – Klasat për Nëna.
