Arbëri

Banorët e Kishnicës mund t’i marrin shërbimet shëndetësore vetëm një herë në javë

Objekti aktual, i cili është pronë e Trepçës, në mungesë të një objekti adekuat, përdoret si Qendër mjekësore nga banorët e fshatit Kishnicë.

Mirëpo, këtu shërbimet mjekësore mund të kryhen vetëm një herë në javë. Banorët e këtij fshati thonë se në këtë ambulancë ka mungesë të stafit dhe se shërbimet po i marrin në mënyrë të reduktuar, raporton KTV.

Ndonëse fshati është në territor të Komunës së Graçanicës, kjo ambulancë është nën administrim të Komunës së Prishtinës.

E, në anën tjetër, nga Drejtoria e Shëndetësisë, në një përgjigje për KTV-në, kanë thënë se gjendja e tillë është e përkohshme shkaku i verës.

Sipas përgjigjes së Komunës, shërbimet janë ofruar 2 herë në javë dhe janë përshtatur me nevojat e banorëve, por tani, në muajt e verës dhe deri në fund të gushtit, Qendra do të ofrojë shërbime mjekësore vetëm një herë në javë.

“Kjo AMF, punon me orar të përshtatur për nevojat e banorëve të fshatit. Shërbimet e infermierisë jepen gjatë tërë javës, kurse deri në fillim të muajit korrik shërbimet e mjekut familjar janë ofruar dy herë në javë. Gjatë verës, në korrik e gusht, shërbimet e mjekut familjar do të ofrohen një herë në javë për shkak të pushimeve vjetore dhe mungesës së mjekëve në tërë sistemin shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë.

Nga paslufta ky objekt kishte edhe barnatoren e tij, por tani ajo është jashtë funksionit.