Arbëri

Mjekësia e Ferizajt në rëntgen

Foto: Koha

Historiani Ramadan Ramadani dhe mjeku Agim Bytyçi kanë mbledhur mijëra dokumente historike e receta mjekësore për t’ia bërë rëntgenin mjekësisë së Ferizajt dhe rrethinës. Kanë edhe fotografi të shqiptarëve të torturuar nga regjimi serb, që ta rrëqethin trupin.

Doktori shfleton kapitujt e librit për secilën periudhë. Prej mjekësisë popullore të fundshekullit nëntëmbëdhjetë deri në liri. Profesori e plotëson me shpjegime shtesë, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo ka qenë faktikisht edhe formula e suksesit të punës gjatë hulumtimeve faktuese prej arkivave lokale deri te ato të Shkupit, Beogradit, Zagrebit, Stambollit e Vjenës.

Xhirime të 1933-it

Dhe raporti i shkëlqyer ndërmjet, dikur, profesor Ramadanit dhe nxënësit Bytyçi, që u ngrit para katër vjetësh në nivel bashkëpunimi bashkautorësie, nxori në dritë me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Ferizajt dokumente e fotografi të pabotuara më parë në librin prej 817 faqesh, “Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë në shekullin XX”.

“Kam edhe xhirime të vitit 1933 që i kam nxjerrë në Arkivin e Zagrebit”, thekson Bytyçi. “Doktori i ka harxhuar mbi 10 mijë euro personale për hulumtime në Kroaci, Turqi e Austri”, ndërhyn Ramadani. “Nuk është kurrgjë ajo punë”, shton mjeku. Botimin e ka mbështetur Komuna e Ferizajt.

Autorët i kanë shkuar mjekësisë deri në rrënjët e themelimit të qytetit më të ri në Kosovë më 1873, atëherë kur përgjatë territorit të sotëm të tij do të zgjatej hekurudha. Profesori Ramadani i referohet me “Ferovija” hekurudhës së ndërtuar nga francezët. Bytyçit i ka ngelur merak pse nuk ia doli të hulumtonte në Francë e Angli.

“Sepse francezët kanë punuar në hekurudhë dhe anglezët kanë pasur misione diplomatike”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)