Zyrtarët për qasje në dokumente publike në Komunën e Ferizajt kanë njoftuar se gjatë tre muajve të fundit janë deponuar gjithsej 24 kërkesa për qasje në dokumente publike. Prej tyre katër kërkesa janë refuzuar me arsyetim se janë prekur të dhënat personale dhe të dhënat e sigurisë publike të cilat janë kofidenciale.
Kërkesat më të mëdha janë parashtruar nga organizatat joqeveritare lidhur me procedurat tenderuese të prokurimit, me lejet ndërtimore dhe dokumente të natyrave të ndryshme. Ndërkohë OJQ-së INPO në një rast i është refuzuar qasja në dokumente publike, ndërkaq Komuna nuk u është bindur as rekomandimeve të Avokatit të Popullit, i cili ka konstatuar se Komuna ka bërë shkelje të Kushtetutës dhe të drejtës për informacion me rastin e kufizimit të qasjes në leje të ndërtimit, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas INPO-s, koordinimi dhe bashkëpunimi i zyrave dhe i sektorëve komunalë me zyrtarin për qasje në dokumente publike ende mbetet sfidë, megjithëse kryetari i Komunës ka caktuar përgjegjës për qasje në dokumente publike zyrtarin më të afërt të tij, i cili manifeston një lloj pushteti brenda Komunës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)