Berisha: Situata epidemiologjike në Malishevë është nën kontroll

Berisha: Situata epidemiologjike në Malishevë është nën kontroll

07 July 2019 10:06

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka njoftuar se, situata e epidemiologjike me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), në Komunën e Malishevës është e qetë dhe nën kontroll.

Sipas tij, deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i infeksionit me virusin e EHKK, mirëpo shqetësuese për organet përgjegjëse komunale, është ndërprerja e fushatës së repelimit të kafshëve, e cila është masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Këto deklarata Berisha i ka bërë pas vizitës që ka bërë QKMF-së në Malishevë, së bashku me drejtorin për shëndetësi, Liridon Hoti, ku janë njoftuar me gjendjen e rasteve të thumbuara nga rriqrat.

Berisha, ka bërë të ditur se për pesë vite asnjë rast nga Malisheva nuk është regjistruar me virusin EHKK.

“Bazuar në të dhënat në QKMF në Malishevë dhe në Klinikën Infektive në Prishtinë, deri më tani asnjë rast nga Malisheva nuk është regjistruar i infektuar me virusin e EHKK, dhe ky është viti i pestë me radhë që nuk ka raste të infektimit nga ky virus”, tha ai, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.

Sipas tij, për shtabin komunal që merret me marrjen e masave për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo në Malishevë, shqetësues është ndërprerja e repelimit të kafshëve, pasi kjo është masa më efikase.

“Pavarësisht se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në vazhdimësi lëshon komunikata për gjendjen epidemiologjike me EHKK, dhe në këto komunikata thuhet se profesionistët janë duke bërë repelimin e kafshëve në terren, kjo nuk qëndron, sepse repelimi është ndërprerë në fazën e dytë, ndërsa vitin e kaluar nuk është realizuar fare”, thuhet në deklarimin e shtabit komunal, për menaxhimin e EHKK.

Ky shtab, muaj më parë kur është ndërprerë repelimi i kafshëve, kishte reaguar duke kërkuar nga organet përgjegjëse, që ta realizojnë repelimin, pasi është masa më efektive.

Përndryshe, në Komunën e Malishevës, deri më sot janë thumbuar nga rriqrat 969 persona, të cilët janë trajtuar në QKMF në Malishevë. Asnjë rast deri më sot nuk është regjistruar me infeksion, ndërsa ky është viti i pestë pa infeksion dhe viti i gjashtë pas raste me fatalitet, si pasojë e infeksionit me EHKK, virus i cili bartet tek njeriu përmes rriqrave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme