Arbëri

Në rolin e merimangës

Descriptive Text

Nuk jemi ulur tek shikojmë ndonjë dokumentar për Tibetin, kulmin e botës. Po e lëmë asfaltin dhe po kalojmë mbi një “urë tibetiane” të ngritur mbi Lumëbardh, përpara se t’i rrekemi një shtegu të rrëpirë që të çon qindra metra lart një zinxhiri shkëmbinjsh të thepisur, të cilët qëndrojnë si monumente unike të natyrës, në të djathtë tek ngjitesh grykës së Rugovës.

Ura nuk është statike. Është e ndërtuar prej litarësh metali dhe kalimi nëpër të përbën sfidë, meqë kërkohet mund për ta mbajtur ekuilibrin derisa ecë duke u tundur. Është konstruksion që të përgatit për komunikim ndryshe të trupit me një shteg shumë e shumë herë më sfidues. Shteg që të fut në rolin e merimangës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjashtë vjet më parë, disa djem të “krisur” të organizuar rreth klubit të ngjitjes “Merimangat”, kanë “trasuar” rrugën e parë të hekurt në Kosovë – via ferrata “Ari”, nëpër të cilën do të kalojmë. Dy vjet më vonë, edhe tjetrën – via ferata “Mati”. Dhe, mrekullinë e tretë, që e kanë pagëzuar me emrin e klubit, sapo e kanë përfunduar.

“Në vitin 2013, kur e nisëm via ferratan ‘Ari’, për disa ditë na ndihmoi një ekspert italian, e mandej e vazhduam vetë. E dyta është përfunduar për 30 ditë në 2016-n”, tregon Nol Krasniqi, një nga themeluesit e klubit. “Tani e kemi përfunduar të tretën”.

Ato janë ngritur nga kilometri i dytë deri në të tretin në kanionin e Rugovës, që merr fill me të dalë në perëndim të Pejës. Me një gjatësi prej 25 kilometrash e thellësi deri në një mijë metra, kanionin e bëjnë të frikshëm muret e thikta, të gdhendura prej miliona vitesh nga ujërat e Lumëbardhit që lëshohen me forcën e vet gërryese. Por, mbresëlënës e bëjnë zgavrimet gurore, të cilave u janë thurur legjenda, e edhe ekosistemi unik që e ka.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)