Arbëri

Bahtiri: Plani i Serbisë për “krizë humanitare në veri” dështoi – nesër hapen dyqanet

Foto: Koha

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se nesër do të përfundojë plani i Serbisë për, siç thotë ai, “të inskenuar krizë humanitare në veri”, pasi që i njëjti, siç thotë Bahtiri, “ka dështuar”.

Bahtiri thotë se së shpejti do të fillojë hapja e supermarketeve dhe lokaleve të ndryshme, “disa prej të cilave kam informacion se do të hapen qysh nesër”.

Me këtë rast, ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për vendimin që të hapen pika shitëse me artikuj ushqimor në veri.

“Pas bashkëpunimit tim me ministrin Endrit Shala, këtij aksioni i janë bashkëngjitur edhe bizneset nga jugu i Mitrovicës. Me këtë rast i falënderoj gjitha bizneset për kontributin e dhënë”, shkroi ai në Facebook, raporton Koha.net.

“Dështimi i këtij plani destruktiv dhe destabilizues nga Serbia, tregon se shteti i Kosovës kur është i vendosur mund të mos lejojë ndërhyrje të shteteve që nuk na e duan të mirën, e aq më pak ndërhyrje nga Serbia. Apeloj tek qytetarët e veriut që më asnjëherë të mos bien në grackën e njerëzve destruktivë, por të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, përfundoi Bahtiri.