Vizitorët nuk mund t’i afrohen Kalasë së “rinovuar” të Novobërdës

Vizitorët nuk mund t’i afrohen Kalasë së “rinovuar” të Novobërdës

01 July 2019 09:32

Janë bërë gati tre muaj prej se vizitorët nuk mund t’i afrohen Kalasë së Novobërdës, për shkak të shembjes së mureve dhe rrezikut që mund të shkaktohet për vizitorët.

Ministria e Kulturës, thotë se përgjegjësinë për këtë shembje e ka kompania nga Beogradi “Koto” e kontraktuar nga UNESCO. Kompania në fjalë ka refuzuar të përgjigjet për Radio Kosovën lidhur me këto dëmtime të mureve të Kalasë.

Ende pa u bërë tri vite nga restaurimi i Kalasë së Novobërdës, disa pjesë të mureve të saj janë shembur.

Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha, ka thënë se Ministria e Kulturës nuk ka ndonjë përgjegjësi për restaurimin e as konservimin e objektit të kalasë. Ai tha se janë bërë analiza nga ekspertët se pse ka ardhur deri te shembja dhe shumë shpejt pritet të bëhet sanimi i këtyre dëmeve nga kompania e kontraktuar.

"Ekspertët që kanë qenë kontraktualë e kanë marrë materialin dhe kanë bërë analiza për ta gjetur se si ka ardhur deri te dëmtimi i mureve të kalasë. Sipas informatës që kemi nga UNESCO, ka dalë rezultati i analizës dhe do të bëhet renovimi po nga kompania që e ka kryer punën”, tha ai

Arkeologu Jahja Drançolli konsideron se realizimi i konservimit të Kalasë së Novobërdës është bërë nga persona jo profesionistë. Sipas tij, projekti që në start ka dështuar dhe lirisht mund të cilësohet si shkatërrim i trashëgimisë kulturore.

" Është projekt që në start i dështuar. Nuk ka pasur ekspertë që merren me konservim por as mbikëqyrës që merren me konservim. Unë e quaj këtë konservim dështim të madh të institucioneve dhe realizuesve, me një fjalë, shkatërrim të trashëgimisë kulturore”, tha ai.

Hartimi i projektit konservues dhe restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli në Dubrovnik, ndërsa punët janë kryer nga kompania serbe “Koto”, me seli në Beograd. Projekti është financuar nga UNESCO dhe ka kushtuar rreth 1 milion euro.

Radio Kosova ka provuar që të kontaktojë edhe me pronarin e kompanisë serbe, për të mësuar shkaqet e shembjes së mureve të kalasë, por ata kanë refuzuar të japin ndonjë përgjigje.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme