Arbëri

Banorët në Polac pa ujë, kërkojnë hetime pasi thonë se projekti është kryer kohë më parë

As pas 10 vjetësh prej kur kanë nisur punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Polac të Skenderajt, banorët nuk kanë ujë të pijshëm.

Projekti ka përfunduar qëmoti, ndërsa banorët ankohen se gypat dhe orët e vëna ishin të dobëta dhe me shumë defekte, gjë që ka bërë që ata të ballafaqohen me mungesë të ujit, raporton KTV.

Thonë se kjo situatë po u shkakton vështirësi të shumta, pasi detyrohen që me kilometra larg ta sigurojnë ujin për pije dhe nevoja të tjera.

Banorët tregojnë se ky projekt ishte përuruar në kohë fushate dhe ujë kishte pasur vetëm një ditë.

Kryetari i fshatit, Isuf Hoti, thotë se projekti duhet të hetohet nga organet e drejtësisë.

Opozita në këtë komunë, qysh në vitin 2016, e ka paraqitur rastin në Prokurori, por as pas gjithë kësaj kohe nuk kanë marrë ndonjë shkresë nëse ka hetime për projektin ose jo.

Në Komunë thonë se kanë kontaktuar kompaninë e cila e kishte fituar tenderin për instalimin e rrjetit të ujësjellësit dhe e njëjta, sipas zyrtarëve komunalë, u pajtua që t’i sanojë vetë defektet në rrjet.

Sipas Lushtakut, punimet do të nisin menjëherë të enjten dhe, varësisht prej dinamikës së punës, edhe banorët e këtij fshati do të kenë ujë të pijshëm.