Kosovë

Nis asfaltimi i 28 rrugëve në qytetin e Ferizajit

Komuna e Ferizajt me buxhet vetjak në vlerë prej 450 mijë eurosh ka nisur asfaltimin e 28 rrugëve brenda qytetit me gjatësi prej 7 kilometrash. Për realizimin e këtyre projekteve ishte kërkesë e vetë qytetarëve prej disa vjetësh, ndërkohë punimet pritet të finalizohen brenda këtij viti. Disa nga këto rrugë do të përcillen edhe me ndërtim të trotuareve, me ndriçim publik dhe me infrastrukturë nëntokësore.

Zyrtarët komunalë në Ferizaj kanë thënë se Komuna me gjithë vështirësitë financiare nga e kaluara ka gjetur mundësi financiare të nisë asfaltimin e 28 rrugëve vetëm brenda qytetit, ndërkohë me projekte të tilla janë duke vazhduar edhe në dhjetëra fshatra. Arbër Bytyqi, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, ka thënë se në kuadër të përmbylljes së projekteve në zonën urbane, gjegjësisht projektit të asfaltimit të rrugicave në qytet, kanë nisur edhe asfaltimin e 28 rrugëve të tjera në kuadër të projektit “loto4”.