Arbëri

Drenasi shënon ditën e çlirimit, pjesëmarrës edhe gazetari anglez të cilin e shpëtoi telefoni nga vdekja më 1999

Foto: Komuna e Drenasit

Me rastin e shënimit të 20- vjetorit, Ditës së Çlirimit të Drenasit, është mbajtur edhe Seanca Solemne ku merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë.

Seancën Solemne e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe raportuesi i luftës Vaughan Smith, ish ushtarja kanadeze Sophie Boisvert Levesque, Gjeneral Lejtnant Kadri Kastrati dhe Esad Rizai, president dhe themelues i Fondit Shqiptaro-Amerikan “Besa”.

Me një fjalë rasti në seancën solemne i është drejtuar të pranishmëve kryetari Lladrovci i cili tha se Dita e çlirimit, në përvjetorin solemn, të 20-tin me radhë, është ditë kur me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e jashtëzakonshme të qytetarëve të komunës tonë, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë.

Po ashtu tha se kujtohet edhe gjithë ai angazhim që, siç tha ai, rrënjët i ka te rezistenca e Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës e Rifat Berishës, të mësuesit tonë Fazli Grajçevci, të rezistencës ilegale dhe rezistencës paqësore, të aksioneve të para të njësiteve të UÇK-së, në veçanti veprën e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Pardje, në mënyrën më madhështore, shënuam 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit, në mesin tonë, kemi qenë të nderuar nga prania e Presidentit Clinton, Sekretares Albright, Gjeneralit Clark, Diplomatit Palmer, Ambasadorit Walker, Presidentit Meta, Kryeministrit Rama, z. Ali Ahmeti, Gjeneralit Orr, Gjeneralit de Marnhack, Presidenti Mesiq, mysafirë të lartë nga Mbretëria e Bashkuar, nga Gjermania, Italia, Franca, Brukseli dhe vendet tjera mike, trupi diplomatik si dhe kontribuues tjerë për çlirimin e Kosovës. Ky shënim madhështor i 20 vjetorit të çlirimit, me këta miq, është historia jonë krenare”, tha Lladrovci.

Tutje, ai foli për projektet e realizuara në Komunën e Drenasit, siç janë parku i biznesit për të cilin tha se është në proces, pastaj stadiumi nacional i cili po ashtu është në proces, “rruga me katër korsi është në proces, liqeni akumulues është në proces, shkolla profesionale në proces, uji për 22 fshatra në proces, qindra kilometra rrugë janë kryer për këto dy vjet, dhjetëra kilometra kanalizime, kemi përmirësuar vijueshmërinë në shkolla dhe suksesin në mësime, kemi përmirësuar shërbimet shëndetësore dhe përgjegjësinë në punë”.

Ndër të tjera, Lladrovci nuk la pa përmendur edhe të ftuarit specialë të kësaj ngjarjeje, që ishin reporteri i kohës së luftës nga Britania, Vaughan Smith, ish-ushtarakja e Kanadasë, Sophie Boisvert Levesque, Gjeneral Lejtnant Kadri Kastrati dhe Esad Rizai, president dhe themelues i Fondit Shqiptaro-Amerikan “Besa”.

“Sot, në mesin tonë, është reporteri, gazetari, fotografi dhe dokumentuesi i parë i të vërtetës së krimeve serbe në Kosovë, dëshmitari i parë i masakrave dhe tokës së djegur nga njësitet ushtarake serbe në Drenicë, në Prekaz, gazetari nga Mbretëria e Bashkuar, z. Vaughan Smith. Po ashtu, jemi të nderuar të gjithë se në mesin tonë, është ish ushtarakja e Kanadasë, veteranja e ushtrisë kanadeze Sophie Boisvert Levesque, ushtarja e cila nëpërmjet trupave të NATO-s u kujdes edhe për fëmijët e Drenasit dhe për një vit rresht, nën këtë flamur origjinal të zbardhur nga fryma, bora punoi ndihmoi për sigurinë në Drenas dhe Kosovë. Z. Smith, zonja Sophie, z. Kastrati, zoti Rizai ne kurrë nuk e harrojmë kontributin Tuaj. Ne nuk e harrojmë përkrahjen diplomatike dhe ushtarake të NATO-s, të trupave në shërbim të lirisë dhe dinjitetin njerëzor, nuk i harrojmë miqtë të cilët dje u gjenden në mesin tonë për 20 vjetorin e çlirimit. Nuk mund ta harrojmë angazhimin e botës demokratike për lirinë e të ardhmen tonë me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO dhe demokracia perëndimore”, deklaroi Lladrovci.

Ai foli për përvojën e gazetarit Smith i cili, sipas Lladrovict, përgjatë fillimit të luftës, “arriti t’iu afrohet mjeteve motorike luftarake të serbëve teksa vrisnin dhe shkatërronin shtëpitë, të marrë dëshmi për masakrat në Prekaz, Obri e gjetiu”.

“Këtë e bëri gazetari anglez, miku ynë i përjetshëm, z. Vaughan Smith, i cili u godit nga plumbat e snajperëve serbë me 5 mars të vitit 1998 në Prekaz. Telefoni që i shpëtoi jetën, sot ruhet në muzeun kombëtar të Anglisë. Faleminderit”, u shpreh kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai tha se luftëtarët tanë, qytetarët tanë, me nderim kanë përcjell edhe një nga intervistat më të famshme, ku përmblidhej filozofia e luftës çlirimtare, ndër intervistat më mobilizuese dhe me më ndikim në luftën çlirimtare, mesazhin e heroit Fehmi Lladrovci.

“Ne këtë kurrë nuk do ta harrojmë. Mesazhi i Fehmiut, u bë fjala përcaktuese e çdo çlirimtari, siç e tha vet heroi se sakrifica për atdhe është nderi më i madh. Ne si familje e kemi incizimin që zoti Smith e bëri gjatë betejës ku ra Fehmiu. Gjithë incizimin e kemi edhe pse ende nuk ka dalë në media. Ajo ishte jo vetëm intervistë, por ishte zë i ndërgjegjes më të lartë kombëtare të çdo ushtari të UÇK-së, i përjetësuar nga Ju z. Smith. Faleminderit z. Smith”, tha Lladrovci.

Sipas tij, ushtarakja kanadeze, Sophie, ka ngritur moralin e fëmijëve shqiptarë, shpresën e lirisë, duke tejkaluar dhimbjen e thellë që shkaktoi lufta.

“Ju keni dëshmuar humanizëm të sinqertë. Fëmijët dhe qytetarët e Drenasit, nuk e harrojnë dashurinë dhe kujdesin që keni treguar pas çlirimit këtu në mesin tonë. Sot zonja Levesque na tha se i ka dy gëzime, njërin për Ditën e Çlirimin e Drenasit e tjetrin për ditëlindjen e djalit të saj. U bëftë 100 vjeç”.

Tha po ashtu se Kosova është e vendosur në rrugën euro-atlantike dhe shtoi se kjo rrugë nuk ka alternativë.

Fjalë rasti mbajtën edhe mysafirët Smith dhe Levesque.

Gazetari Smith, duke kujtuar atë kohë, ndër të tjera tha se ndihet sikur të ishte në shtëpinë e tij. Tutje, ai tha se ka ardhur koha për një disiplinë që mendojmë se çka po harrojmë e që duhet në fakt të kujtojmë.

“Shumë prej nesh e kujtojmë se si ka qenë Drenasi kur serbët e kishin nën kontroll, por shumë të rij nuk e dinë, dhe pas 10 vitesh do të ketë edhe më pak që do të kujtojnë se pse keni luftuar dhe çka keni arritur. Shpresoj që ju të kujtoni dhe t’i mësoni fëmijët se sa e rëndësishme ishte pavarësia për ju në atë kohë. Të kujtoni ata njerëz që kanë vuajtur, masakrat e Prekazit, Poklekut, Abrisë etj. Ti kujtoni të rënët në mënyrë të dinjitetshme. Sot shumë shokë të mi nuk janë në mesin tonë, si Shaban Shala e Rasim Kiqina të cilët ishin të veçantë, por jo të vetmit. Ata të dy e dinin rëndësinë e gazetarëve për t’i treguar botës atë që po ndodhtë në atë kohë. Dua t’i kujtoj edhe të rinjtë që nga Prishtina që shoqëronin gazetarët këtu pasi jo të gjithë vinin këtu”, u shpreh gazetari Smith.

Ndërsa ish ushtarja e KFOR-it, Sophie Boisvert Levesque, tha se ndihet e nderuar që ishte në këtë mes pas 20 viteve dhe që të shihte ndryshimet e bëra dhe se qytetarët Drenasit janë heronjtë e saj dhe janë shembull për të gjithë.