Arbëri

Qytetarët në Hodonoc sulmojnë me vezë kryetarin Kastrati

Foto: Qëndron Kastrati / FB

Është sulmuar me vezë vetura e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, në fshatin Hodonoc.

Sipas “TV Kamenicës”, qytetarët e kanë sulmuar me vezë dhe i kanë barrikaduar rrugën afër shkollës në Hodonoc.

Kastrati ishte paraparë të mbante një diskutim me banorët e këtij fshati për reformën në arsim. Sipas raportimit, kjo i është pamundësuar Kastratit.

Takimi ishte paralajmëruar dje nga Kastrati.

“Për reformën në arsim diskutuam edhe me banorët e fshatit Dajkoc e Muçiverc, ndërkaq nesër do të jemi në Karaqevë të Poshtme dhe Hodonoc. Çdo ide apo propozim që do ta ndihmojë cilësinë arsimore në Kamenicë, është i mirëseardhur”, kishte shkruar ai të martën në Facebook.

Kastrati kishte marrë iniciativë për atë që po e quan reformë në arsim në Kamenicë, me ç’rast dëshiron të kondensohet numri i shkollave derisa komuna ofron zgjidhje për bartjen e nxënësve në shkolla përkatëse.

Koha.net ka provuar të kontaktojë të mërkurën në mbrëmje me Kastratin, por as ai e as zëdhënësja e komunës nuk janë lajmëruar në thirrjet telefonike.