Arbëri

Prizreni në bërllok edhe në ditën e Bajramit

"Kryetari Mytaher Haskuka na ka uruar Bajramin me bërllok te dera”. Kështu shprehen qytetarët e lagjes Ortakoll në Prizren, duke u ankuar se janë ankuar me dhjetëra herë tek zyrtarët e Komunës së Prizrenit, por nuk kanë ndërmarrë asgjë.

“Vetëm na kanë gënjyer se do të vinë, por nuk kanë ardhur asnjëherë ta largojnë bërllokun”, citon rtk një banore aty.

E kryetari Haskuka në një përgjigje me shkrim ka thënë se mbrëmë deri vonë “Ekoregjioni” ka pastruar.

“Nëse është hedhur bërlloku pas orës 14.00 dhe në vende jo adekuate, inspektorati do të shqiptojë gjobë”, ka thënë ai.

Por, kryetari Haskuka bashkë me kryeinspektorin Islam Thaçi, kanë qenë të njoftuar për hedhjen e vazhdueshme të bërllokut në hapësirë të gjelbër të ndërtesës që para afro një muaji. Andaj në pyetjen se sa i duhet kohë Inspektoratit për të shqiptuar gjobë, ai u përgjigj shkurt, “pas orës 2”.

Banorët e revoltuar planifikojnë që bërllokun e grumbulluar ta dërgojnë tek dera e vet kryetarit.

“Por ka aq shumë sa që nuk e dimë se ku do të gjejmë ndonjë traktor sot në këtë ditë feste”, thotë një banor tjetër.

Ndryshe, sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Ambientit parashihen gjoba mandatore për persona fizikë dhe biznese që hedhin qoftë edhe një cigare në rrugë.

Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2018 parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturinave dhe ambalazheve të ndryshme, 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti, 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre, 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim, 70 euro; personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Por, Udhëzimi Administrativ nuk përcakton se çfarë duhet të bëhet nëse inspektorati apo një kryetar komune nuk e respekton këtë Udhëzim Administrativ.

{gallery}