Vullnetarët pastrojnë fshatrat e Hasit, bëhet thirrje për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e zonave turistike Foto: Let's Do it Kosova

Vullnetarët pastrojnë fshatrat e Hasit, bëhet thirrje për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e zonave turistike

24 May 2019 17:14

Me moton “Për një Has të pastër”, “Let’s Do It” iu është bashkuar aksioneve të pastrimit dhe aktiviteteve tjera që u mbajtën sot në disa prej fshatrave të Hasit.

Aksioni i sotëm filloi në fshatin Gjonaj, te Ura e Drinit të Bardhë, dhe vazhdoi përgjatë rrugës. Aksione pastrimi pati edhe në fshatrat: Mazrek, Krajk, Bregu i Drinit, Lukinaj, Romajë, Dedaj, Kabash, Lugizhdë, Kushnin dhe Demjan.

Aktivitetet e sotme u iniciuan nga Organizata “Fondacioni Drini” nga rajoni i Hasit.

Nga atje u bë thirrje për një mjedis më të pastër, veçanërisht të zonave me aq shumë bukuri natyrore siç ishin fshatrat ku u zhvilluan aktivitetet e sotme, pasi nuk është imazh aspak i mirë për vendin që këto zona potenciale turistike të ndoten.

Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka kritikuar institucionet lokale për angazhimin e mangët në çështje mjedisore, derisa ka kërkuar që mirëmbajtja e këtyre hapësira të kthehet në prioritet.

“Kosova ka bukuri shumë të mira natyrore për të cilat duhet në radhë te parë ne qytetarët të kujdesemi, pra nuk është imazh i mirë që bukuri si kjo këtu t’i shohim me mbeturina dhe në këto lokalitete të mbledhim mbeturina ashtu siç kanë bërë sot vullnetarët këtu. Ju bëj thirrje të gjithëve që kanë mundësi që të vazhdojnë të bëjnë punë të mira për komunitetin ku jetojnë dhe veprojnë, sepse kjo ka me ndiku në masë të madhe që edhe institucionet të jenë ma të përgjegjshme. Ne sot këtu s’po shohim kryetar të komunës, mirëpo jam i bindur që ata do e shohin këtë aktivitet dhe nuk do të ndihen mirë që sot s’kanë qenë këtu”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, Taulant Hoda, nga “Fondacioni Drini” ka thënë se ky Fondacion ka qenë një ndër iniciatorët për fillimin e këtij aksioni, derisa falënderoi “Let’s Do It” për mbështetjen e dhënë.

“Aktivitet ka filluar nga ‘Fondacioni Drini’, nga një bashkëvendës i joni i cili jeton në Amerikë zotri Kastriot Shatri dhe unë. Qëllimi i Fondacionit është me përkrahë ambientin, me ngritë vetëdijen posaçërisht në rajonin e Hasit, po ashtu me i ndihmu të rinjtë në zhvillimin e tyre në edukim. Kjo është një ndër aktivitetet e para që kemi fillua me organizatën Let’s Do It, të cilët i falënderojmë për mbështetjen” ka thënë Hoda.

Përveç aksionit të pastrimit, u mbajt edhe një ligjëratë me nxënës dhe të pranishëm të tjerë, në të cilën u ligjërua për mjedisin dhe rëndësinë e mbajtjes së pastër të tij.

Ndër vite, 24 Maji ka qenë data tradicionale e organizimit të aksionit më të madh të pastrimit “Ta Pastrojmë Kosovën”. Andaj, ekipi i “Let’s Do It” çdo vit shënon këtë datë me aksione pastrimi dhe aktivitete tjera me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme