Arbëri

I hapet rrugë projektit për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan

Komiteti për Politikë e Financa (KPF), të martën, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvendin Komunal propozim-vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për nevoja të ndërtimit të ujërave të zeza në fshatin Uglar, i cili projekt mbështetet nga Qeveria e Kosovës, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) dhe Banka Investuese Evropiane (BIE).

Po ashtu, KPF-ja ka rekomanduar për Kuvend edhe marrëveshjen për binjakëzim ndërmjet qytetit të Gjilanit dhe qytetit të Beratit, e cila gjendet në Republikën e Shqipërisë, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithashtu, është rekomanduar edhe bartja e mjeteve nga gala mbrëmja, në shumë prej 10 mijë eurosh, në fondin për studentë, kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve financiare për 75 bursa për studentë, propozimin për emërtimin e ambulancës në Zhegër, projekt-rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, projekt-rregulloren për orarin e punës së subjekteve afariste, propozim-vendimin për themelimin e komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, propozim-vendimin për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, propozim-vendimin për caktimin e dy lokacioneve për zyra të gjendjes civile në Gjilan.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)